|
Shprehi gatishmërinë dhe sigurinë për ta drejtuar komunën e
Mitrovicë me një POLITIKË NDRYSHE nga kjo që është tani, ashtu
siç më obligon Programi i Partisë sime...
Mitrovicë, 31 korrik 2009
I jam mirënjohës Partisë Socialiste në Mitrovicë dhe Kryesisë së
PSK-së në Prishtinë që më kanë nderuar me këtë kandidaturë të
sotme, duke më dhënë kështu mundësinë që të dal publikisht para
qytetarëve të nderuar të Mitrovicës dhe t’u ofrojë kontratën
time për ta drejtuar së bashku me ta Komunën e Mitrovicës dhe
jetën e përbashkët këtu.
Programi i PSK-së na jep mundësi të shkëlqyeshme që ta bëjmë më
të mirë se që është tani jetën e qytetarëve tanë të shumëvuajtur.
Shprehi gatishmërinë dhe sigurinë për ta drejtuar komunën e
Mitrovicë me një POLITIKË NDRYSHE nga kjo që është tani, ashtu
siç më obligon Programi i Partisë sime. Këtë mundësi e kemi tani
ne pasi jemi parti e re e profilizuar qartas. Slogani ynë
politikë ndryshe është real dhe jo vetëm parullë zgjedhore.
Nocioni POLITIKË NDRYSHE i PSK-së është i tillë që të mos
mashtrohet elektorati. Që votuesi të mos respektohet vetëm
derisa t’i merret vota, e pastaj të harrohet, por vullneti dhe
interesi i votuesit të jetë ligj për të votuarin.
Çështja kryesore që më ka motivuar që të hyjë tani në politikë,
ka qenë: a kemi kënd ta votojmë? Tani e kam përgjigjen:
Elektorati i Mitrovicës ka kënd ta votojë - Partinë Socialiste
të Kosovës, e cila ka në Programin e saj rregullimin e çështjes
social-ekonomike të shtresave në nevojë, të të papunëve, të
atyre që janë të diskriminuar materialisht edhe pse punojnë. Do
të angazhohem për të drejtat ligjore të të gjithë qytetarëve të
Mitrovicës. Programi im elektoral, të cilin e kam në përfundim e
sipër, i përfshin të gjitha këto përcaktime që i ceka më lartë
dhe në kohë të duhur do të jetë në duart e qytetarëve të
Mitrovicës.
Qeverisja ime, si kryetar i Komunës së Mitrovicë, do të ishte
duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke drejtuar Komunën
sipas vullnetit legjitim të qytetarëve me një shkallë të lartë
të vendimmarrjes së tyre për të gjitha çështjet e jetës publike,
ashtu siç na obligon Karta Evropiane për vetëqeverisje lokale. (Neni
1 pika 2 e Kartës)
Për të pasur mirëqeverisje në Komunën tonë duhet punuar në bazë
të ligjeve dhe parimeve etike administrative dhe jo bazë të
parimeve të xhepit.
Për ta ndryshuar qeverisjen e tashme në Komunën tonë i ftoj të
dalin në zgjidhje të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicë me
të drejtë vote, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike,
politike e ekonomike. Vetëm të gjithë së bashku: shqiptarët,
serbët, boshnjakët, malazezët, turqit, romët, egjiptianët, apo
gjithsecili në harmoni me gjithsecilin qytetarë të Komunës sonë,
mund ta përmirësojmë jetën tonë në Komunë. Me Kushtetutën e
Republikës së Kosovës, Kosova është përkushtuar për krijimin e
një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të
drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të
gjithë qytetarëve para ligjit.
Kështu jam i përcaktuar, pa hezitim, edhe unë dhe kështu do të
veprojë nëse qytetarët e Komunës sonë më përgjigjen pozitivisht
dhe më japin besimin për t’iu prirë atyre në drejtimin e
përbashkët të punëve tona të përbashkëta në Komunën e Mitrovicës. |