Komente
Intervista
Lajme
Kulturë
Botime
Arkivi

 


Kërko në
  
www.google.com
Kërko në
  
www.lpk-kosova.com


  • Vetëvendosje!
  • KP 'Afrim Zhitia'
  • Nënë Shqipëri
  • Shqipëria.com
  • Albanian.com
  • Kosovapress
  • Kosova e Lirë
  • KosovaLive
  • ATSH
  • Lajme.net
  • Dwelle
  • Europaelirë
  • VOA
  • BBC
  • RTV ZiK
  • Epoka e re
  • Koha Ditore
  • Koha Jonë
  • Shekulli
  • Korrieri
  • Gazeta Sot
  • Shkëmbi.com
  • Mekuli
  •    


    DRITON TALI, profesor universitar


    E majta europiane dhe integrimet euroatlantike
     

    Tentimet për integrimet evropiane (atlantike) mund të ndahen në dy pjesë. Pjesa e parë, fillon pas shkatërrimit të Perandorisë romake (pra shek V) e sidomos kur kisha (Vatikani) u konsolidua dhe e morri rolin në shoqëri. Kjo periudhë zgjatë deri me fillimin e Revolucionit francez. Dhe karakterizohet me tentime të cilat për bazë kishin vlerat dhe religjionin katolik.
    Periudha e dytë është koha pas Revolucionit francez, e deri pas Luftës së Dytë Botërore kur integrimet euroatlantike u bënë realitet. Kjo periudhë karakterizohet me tentime nga intelektualët e majtë dhe partitë të majta.

    Pra, deri në fund të shek XVIII dhe fillim të shek XIX, synohej që Europa Perëndimore të bashkohet në bazë të vlerave krishtere. Sepse, siç dihet, ndarja e Perandorisë romake në atë Perëndimore dhe Lindore (që zanafillën e pati kur perandori Dioklecian selinë tij e zhvendosi nga Roma në Nikomedi - në detin Marmara) nga Konstandini (i cili më 330 për kryeqytet të Perandorisë romake zgjodhi Bizantin, qytetet i cili më vonë riemërohet në Kostandinopojë), pati lënë pasoja të dukshme. Sidomos kur krishterimi u bë religjion zyrtar i Perandorisë, ngase atëherë edhe kisha u nda në atë Lindore (ortodokse - Bizantin) dhe Perëndimore (katolike - Vatikanin).
    Europa, pos asaj që u nda në dy blloqe fetare, ajo më vonë do të ndahet edhe më tutje për shkak të egoizmave dhe orekseve të sunduesve të ndryshëm për pushtet. Marrim shembull mbretin anglez Edward III, i cili e shpall vetën mbret të Francës në bazë të së drejtës trashëgimtare nga nëna e tij. Si shkak i kësaj do të fillojë lufta e ashtuquajtur “Lufta 100-vjeçare”, në mes Anglisë dhe Francës, e cila do të zhvillohet me ndërprerje deri në vitin 1458, kur përfundimisht anglezët do ta humbin Kalen (Calais). Apo “Lufta 30 vjeçare” e cila shpërtheu më 1618, për shkak të paraqitjes së Protestantizmit si rezultat i korrupsionit të Vatikanit, dhe orekseve dhe intrigave të ndryshme të monarkëve të ndryshëm europian. Po ashtu kësaj panorame duhet gjithmonë ti shtohet edhe frika nga islami dhe Rusia cariste (ortodokse) të cilat kishin vlera tjera kulturore.

    Ndonëse, përkundër të gjitha antagonizmave megjithatë mund të thuhet se gjatë “Mesjetës së hershme” Evropa Katolike Perëndimore, e arrin njëfarë uniteti kulturor-fetar, i cili realizohet nën kontrollin e Papës dhe të Vatikanit. U morr vesh se “uniteti” ishte i brishtë.
    Bie fjala formohet e ashtuquajtura “Evropa e Karlit të Madh (latinisht - Carlous Magnus 742-814) i cili sundonte Francën, Italinë Veriore, Zvicrën dhe pjesën më të madhe të Gjermanisë dhe të Austrisë.1 Në historikun e integrimit evropian viti 800 zë vend të rëndësishëm, sepse Karli i Madh kurorëzohet në “Perandor të shenjtë-rinovues romak” (Renovatio Imperii Romani) nga Papa Leo III.

    Më vonë, gjatë kryqëzatave, ideja për bashkim e Kristendomit goxha theksohet. Pra, nga viti 1095 kur Papa Urbani II shpallë kryqëzatën e parë e deri më 1271, siç dihet papati organizoi tetë kryqëzata për ta “rikthyer tokën e shenjtë nga myslimanët” .

    Tentime për integrimin e Kristendomit pati edhe gjatë “Mesjetës së mesme dhe vonshme”. Vlen të cekët diplomati francez Pierre Dubois (1255 – 1312) i cili më 1306 kërkoi të krijohej ‘“Këshilli apo asambleja e princërve’ me seli në Tulus, detyra e së cilës do të ishte të sigurimi dhe mbikëqyrja e paqes’”.

    Po ashtu Dante, në veprën e tij “monarkia” 1309 kërkonte “një mbretëri universale krishtere (Kristendomit) e cila do të kishte sovranitet mbi të gjithë njerëzit”.

    Pastaj, më vonë, del në skenë edhe publicisti dhe analisti politik francez Emeric Cruce (1590 - 1648, i cili njihet edhe si pionier i studimeve të “marrëdhënieve ndërkombëtare”). Ai, më 1623, në veprën e tij “La Nouveau Cynée’2, propozoi një institucion të njëjtë, ndonëse më demokratik, ai propozoi një ‘asamble të përhershme të ambasadorëve e cila vendimet do ti merrte me shumicën e votave”.

    Kurse, diplomati i oborrit mbretëror (Henri-t të IV) Duc de Sully (1560 – 1641), në 1638, në “Dizajnin e tij të madh - Grand Design” propozoi “Federatën e të gjitha shteteve krishtere të Evropës”, federatë e cila do ta mbronte Evropën nga rreziku osman por edhe nga rreziqet tjera. Siç thotë ai:
    “... marrëdhëniet dhe veprimet në Europë duhen të rregullohen dhe koordinohen nga Këshilli gjeneral (apo Këshilli i përgjithshëm). Ky këshill do të përbëhet nga shtatë këshilltarë (nga shtat mbretëritë kryesore të Kristendomit) të cilët do të vendosin për gjëra që kanë të bëjnë apo me rëndësi për gjithë Europën... Kontrolli në ushtrinë e përbërë ku çdo shtet do të kontribuojë duhet të jetë në duar të këshillit të përgjithshëm”.3

    Vlen të cekët se nga kjo kohë, pra pjesa e parë e shekullit XVII e deri te fillimi i Revolucion francez, çështja e integrimit evropian ndonëse u diskutua nga shkollarët e kohës, por nuk pati ide të reja. Madje pati edhe kundërshtime e refuzime të idesë, duke e trajtuar si ide utopike. Bie fjala dy intelektualët e mëdhenj të kohës, Rousseau (1712 – 1778) dhe Kanti (1724 – 1804), fare nuk e përfillnin idenë për integrime. Kjo mbase mund të shpjegohet me zbehjen e rolit të kishës apo me mirë me thënë me përhapjen dhe zhvillimin e protestantizmit dhe luftën në kolonit (pra nga tensionet e para të 1760 e deri sa plasi lufta me 1775 -1781) deri me fillimin e Revolucionit francez 1789 – 1799), dhe luftërat tjera në mes vete të mbretërive Europiane.4

    Por, me revolucionin francez gjërat filluan të ndryshojnë. Sidomos trendët sociale dhe kulturore. Pastaj, edhe me luftërat e Napolonit, dhe përhapjen dhe intensifikimin e Revolucionit industrial në kontinent nga ujdhesa Britanike, ideja për integrime evropiane fillojë të aktualizohet. Për ndryshim nga përpara, siç u cek më lartë, tash e tutje me këtë ide filluan të merren personalitet të cilët kishin qëndrime të majta si Hugo apo Proudhon (Pierre Joseph Proudhon, 1809 – 1865)
    Në këtë kontekst, duhet përmendur “Shoqërinë për paqe të Gjenevës”, e cila u formua në 1830. Pastaj “Kongresin Universal për Paqe” që u mbajt në Londër më 1843, apo “Kongresin e Miqve të Paqes”, i cili u mbajt në Paris më 1849, president i së cilës ishte Hugo. Në qendër të debatit të këtij kongresi ishte unifikimi europian. Sa për hire të argumentit të thuhet se këtu morri pjesë edhe majtisti britanik Richard Cobden (1804- 1865, social liberalisti) dhe socialisti amerikan Elihu Buuritt (1810 – 1879).
    Ky trend vazhdoi edhe gjatë shekullit XX, u mor vesh me intensifikim. Bie fjala ekonomisti italian Tullio Martello 1865 – 1918, më 1905 botoi veprën “Collferajni Franko – Italian dhe Shtetet e Bashkuara të Europës”.
    Pastaj, zhvillim i cili vlen të përmendët ishte edhe formimi i “Lidhjes për Unionin Europian”, në Londër. Lidhje e cila dha rezultat të konsiderueshëm, dhe ishte e dominuar kryesisht nga personalitet me qëndrime të majta.
    Nga të gjithë entuziastët dhe avokatët e integrimit euroatlantik në pjesën e parë të shekullit XX, më i njohuri ishte Kalergi (Richard Coudenhove-Calergi (1894 -1972), i cili më 1922 ja arriti që të krijojë një lëvizjen më të popullarizuar “Unionin Pan-Europa”. Një vit më vonë Në vitin ky e botoi edhe librin me të njëjtin titull “Pan Europa” dhe revistën ”Pan europa”, numri i pare I së cilës doli më 1924. Edhe Kalergi, ndonëse kishte prejardhje aristokrate, favorizonte socialdemokracinë.
    Lëvizja e tij pati ithtarë si personalitet: Karl Rennerin (1870 – 1950) të ashtuquajturin babain e Republikës së Austrisë, përndryshe socialdemorkat; Edouard Herriot-in (1872 – 1957), i cili ishte tri here ministër i Punëve të Jashtme të Francës; presidentin e Çekosllovakisë Eduard Beneshin (1884 – 1948); intelektualin e majtë Benedetto Croce (1866 – 1952 , ideologun e Antonio Gramshit)
    Më vonë anëtarë të “Unionit Pan Europian” u bënë edhe André Léon Blum (1872 –1950) politikan i njohur (i majtë) francez, tri herë kryeministër. Pastaj, Froid-i, Einstein-i, Henri dhe Thomas Mann-i.

    Personalitet tjera të cilat u angazhuan për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Evropës” në këtë kohë, e që duhet përmendur janë: intelektuali gjerman Richard Baerwald (1867–1929); intelektuali polak Emmanuel Malynski, i cili më 1925 boti librin “si të kursehet Europa; deputeti socialist (francez) Gaston Riou I cili më 1928 publikoi punimin “Euro atdheu im”.
    Me plasjen e Luftës së II Botërore, zhvillimet në këtë drejtim natyrisht ndalen, sikurse edhe shumë zhvillime tjera. Ndonëse Lufta e II Botërore në mënyrë indirekte e shpejton këtë proces. Sepse siç dihet Lufta e II Botërore e hedh në pah një fuqi të re botërore Bashkimin Sovjetik. Superfuqi e cili fillon t’i kërcënojë në mënyrë direke sigurinë e shteteve perëndimore dmth edhe lirinë edhe demokracinë e tyre. Apo siç thuhet ndryshe mënyrën e jetës perëndimore ose vlerat perëndimore.
    Është po ashtu interesant të përmendet, se në ketë kohë se motori i integrimeve euroatlantike ishin të majtit (pa komunistët) të përkrahur nga demokristianët.
    Siç dihet në SHBA, pas luftës ishin demokratët, të cilët nga botëkuptimet janë social liberal apo “liberal të rinj – new liberals”. Truman-i e trashëgoi Roosevelt-in. Në Britani ishin laburistët me kryeministër Atlee-n (Clement Attlee, 1883-1967). Në Francë, Belgjikë, Holandë po ashtu ishin të majtit. Gjersa në Itali dhe pas krijimit të Republikës Gjermane me 1949 ishin demokristianët.
    Dhe kjo ishte një edhe një lehtësim për integrimet evropiane, ngase social liberalët, social demokratët dhe demokristianët nuk e kishin edhe shumë vështirë të merreshin vesh mes veti. Sepse siç dihet demokristianët evropian në aspektin ekonomik janë për ndërhyrje apo më mire me thënë për rol më të madh të shtetit në ekonomi dmth për shtet social, shkollim dhe shëndetësi falas. Por dallojnë në aspektin politik ku ata janë më konservativ në shumë aspekte.
    Siç dihet gjatë kësaj periudhe u krijuan të gjitha institucionet e rëndësishme euroatlantike, duke filluar nga bashkimi i Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut në Beneluks (1946); plani Marshall 1947; Traktati I Brukselit për mbrojte në mes të Britanisë, Francës dhe Beneluksit, në 1948; po ashtu në 1948 formohet edhe Organizata për Bashkëpunim Europian - OEEC Oragnisation for European Economic Cooperation (e cila në 1960 zëvendësohet me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim – OECD Oraganisation for Economic Cooperation and Development); më 1949 Këshilli i Europës dhe NATO dhe me 1951 Traktati për Bashkësinë Europiane për Thëngjill dhe Çelik.
    Për fund të përmendet se Traktatin e Parisit më 1951, ku u themelua BETHÇ, firmosën për:
    Francën: Robert Schumann – M.R.P - parti demokristiane.
    Gjermaninë: Konrad Adanauer - Unioni Demokristian.
    Belgjikën: Paul van Zeeland – Partia e Punës (socialistë)
    Italinë: Carlo Sforca - Partia Republikane (në fillim ishte e majtë).
    Holandën: Dirk Stikker – Partia Social Liberale
    Luksemburgun: Joseph Bech - Partia Socialiste Popullore Kristiane
    Dmth nga gjashtë nënshkruesit e BETHÇ tre ishin të majtë 3 demokristianë.
    Gjersa Presidenti i parë i “Asamblesë së Përbashkët të BETHÇ” u zgjodh Henry Spaak, i cili ishte politikan i majtë i Belgjikës.
    Pse nuk kishte në këtë kohë bashkëpunim me komunistët, të cilët ishin mjaftë aktual, sidomos në Francë dhe Itali (ku siç dihet ishin partitë më të mëdha opozitare) arsyeja ishte Kominterna. Komunistët derisa nuk vdiq Stalini, respektivisht derisa Hrushqovi nuk e mbajti “Fjalimin sekret” kundër “kultit të personalitetit’ në Kongresin e 20, me 25 shkurt të vitit 1956, e kundërshtonin integrimin euroatlantik. Pas kësaj kohe, komunistët filluan të ndahen në të ashtuquajturën e “Majta e re” (New Left), e cila pati qasje tjetër nga e “Majta e vjetër”.
     


    1 Ky ishte ai i cili i krishteroi saksonët gjatë viteve 772-85; lombardët në 770-774 dhe avarët në 791-79.
    2 Siç e dimë Kinisi ishte ministër i Tesalisë dhe mik i Pirros. Kur plasi kriza me Perandorinë romake, Pirro Kinisin e dërgoi për të negociuar paqen me romakët.
    3 Kjo ide origjinale do të merret edhe si bazë për integrimet euroatlantike në Kongresin (shumë të rëndësishëm për integrimet euroatlantike) Hagës me 1948, të cilën siç dihet e pati organizuar “Komiteti Ndërkombëtar i Lëvizjes për Unifikimin e Europës”. Ndër të tjera Çerçilli pati thënë se “Këshilli i Europës është vazhdimësi i Këshillit të përgjithshëm të Dukës së Sulit”.
    4 Këtu duhet përmendur “Luftën për trashëgimin e fronit spanjoll”, 1701 -1714. Në këtë luftë u involvuan të tri mbretërit kryesore të kohës, ajo britanike, franceze dhe holandeze. Që të tri këto perandori mendonin se kandidatët e tyre kishin të drejtë. Apo “Lufta e madhe e Veriut”, e cila zgjati 21 vite, nga 1700 -1721. Në këtë luftë u përfshinë Danimarka, Polonia, Saksonia dhe Norvegjia luftuan kundër Suedisë për dominim në Detin Baltik. Ose lufta për trashëgimin e “Fronit austriak” më 1740; “Lufta shtatëvjeçare”, më 1751 në mes aleancës ‘franceze, austriake , suedeze, kundër aleancës “pruso-britanike”; ndarja e Polonisë me 1770 etj.
     
    (Fjala e mbajtur në konferencën "E majta në Kosovë", organizuar më 24 janar 2009 në Prishtinë, nga Lëvizja Popullore e Kosovëss.)