|
Partia socialdemokrate (PSD) me programin
e saj, të definuar qartë, e konsideron veten si sindikatë të
popullit dhe nga ky aspekt e respektojmë veprimtarinë dhe
angazhimin funksional të sindikatave, aq ma parë, kur e tërë
historia e partive socialdemokrate është e lidhur ngushtë me
sindikatat, ato janë aleatë të pandashëm e historik, gjë të
cilën synojmë ta arrijmë edhe ne.
Në bazën programore të PSD qëndron angazhimi për liri,
barazi, drejtësi dhe solidaritet të qytetarëve të bazuar në
parimet e demokracisë dhe të tregut të lirë. Kjo mund të
arrihet vetëm përmes konsolidimit të sistemit funksional të
drejtësisë dhe sundimit të ligjit, trajtimit plotësisht të
barabartë të qytetarëve pa asnjë dallim dhe me aplikimin e
qeverisjes së përgjegjshme dhe pa deformime, siç janë,
klanore, nepotizmi, korruptimi etj.
Gjithashtu, në programin tonë prioritetet janë: mirëqenia e
popullit, ekonomia e tregut të lirë, ndarja e drejtë e të
mirave, shpërblimi njerëzor për punëtoret, sigurimi
shëndetësor dhe shkollimi për të gjithë, sigurimi pensional
dhe invalidor, për mbrojtjen e atyre me aftësi të kufizuara
e të tjerëve… synojmë të krijojmë një shoqëri civile të
fortë dhe stabile të mirëqenies nga e cila do të mbrohen e
përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Prandaj këto janë edhe
synimet e organizatave sindikale.
Sindikatat e Kosovës kanë një traditë të gjatë dhe shpesh
kanë qenë në ballë të përpjekjeve të popullit për mbrojtje
të të drejtave të tij. Punëtoria kosovare trazoi disa herë
Jugosllavinë. Por për shkak se pushteti gjithnjë ishte i
huaj, kërkesat e punëtoreve kosovar për përmirësimin e
kushteve të punës, të pagave apo për të drejta më të mëdha,
qoftë nga puna qoftë për liri sindikale, gjithmonë u
vlerësuan si separatiste, të rrezikshme për shtetin, si
lëvizje nacionaliste etj., dhe gjithmonë u përcollën me
rrahje policore, largime nga puna dhe masa tjera represive.
Një arsenal i tërë terrori e dhune u përdor kundër
punëtorisë shqiptare.
Sindikatat e pavarura të Kosovës, u krijuan në rrethana
specifike, si reagim i punëtorëve ndaj padrejtësive që iu
bënë atyre dhe popullit shqiptar në përgjithësi për dekada
me radhë. Mllefi i grumbulluar aq gjatë, shpërtheu fuqishëm
dhe përnjëherë në fund të vitit 1988 dhe u kurorëzua me
formimin e një sindikate mjaft të madhe demokratike, e cila
mbajti Kongresin e parë në fund të qershorit 1990.
Periudha nga ajo kohë u karakterizua me shumë ngjarje
dramatike e tragjike të cilat i shkaktoi regjimi i Serbisë.
Por sindikatat tona përkundër të gjitha vështirësive, me të
cilat u ballafaquan, arritën të ekzistojnë e të sfidojnë
edhe okupatorin edhe masat e papërshkrueshme diskriminuese
që ushtroi pushteti i Serbisë, i cili përfundoi me luftën më
brutale.
Pra, për vite të tëra punëtoria kosovare u ballafaqua me
dhunë e represion të paraparë, me rrënimin e ekonomisë, të
arsimit, shkencës, kulturës, informimit, të shëndetësisë e
të lëmive tjera të punës dhe të jetës. Dëbimi masiv me dhunë
nga puna i mbi 130 mijë punëtorëve shqiptarë pati si pasojë
varfërimin e familjeve të tyre dhe largimin e shumë prej
tyre nga Kosova.
Si pasojë e këtyre ngjarjeve që përjetoi punëtoria dhe
ekonomia kosovare as sot e kësaj dite sindikatat tona nuk
janë sindikata klasike të punëtoreve, që veprojnë në
rrethana normale, por, fatkeqësisht ato janë sindikata të të
papunëve. Këtë po e them, sepse sindikatat kosovare, as pas
luftës as pas shpalljes së pavarësisë, nuk gjetën përkrahje
dhe nuk kanë arritur ende të zënë vendin që ju takon.
Gjithashtu tranzicini në Kosovë, për shkak të rrethanave
specifike ka lënë pasoja të renda. Ky tranzicion, duke i
shtuar një proces privatizimi të imponuar, me dyshime se e
kanë shfrytëzuar matrapazë ekonomik, e ka sjellë dobësimin e
skajshëm të ekonomisë nacionale. Përkundër pritjeve të mëdha
nga privatizimi, ne si pasojë kemi, veç tjerash edhe humbjen
e rreth 70 mijë vendeve të punës nga ky proces, si dhe kemi
rritje të varfërisë dhe pabarazi të theksuara e padrejtësi
sociale.
Sado i deformuar dhe i padrejtë që ishte ky lloj privatizimi
tani ka më se një vit që ai ka ngecur pothuaj në tërësi. Ne
fuqimisht mbështesim sindikatat dhe insistojmë që ky proces
të shpejtohet dhe të përfundojë, përndryshe pasojat negative
do të marrin përmasa të pa parashikueshme, si në aspektin
social ashtu edhe në atë politik. Shkalla e papunësisë është
jashtëzakonisht e lartë, pak ka punëdhënës dhe në këto
kushte realizimi i shumë të drejtave të punëtoreve,
fatkeqësisht, është i pa mundur edhe nga fakti se një pjesë
e madhe aktiviteteve ekonomike zhvillohet në tregun ilegal,
gri dhe të zi.
Nuk është krijuar as baza ligjore për funksionimin e
sindikatave, as ai themelor për marrëdhënien e punës. Shumë
ndërmarrje të mëdha janë mbyllur dhe sindikatat e tyre janë
jashtë çdo ndikimi.
Fatkeqësisht organizimi sindikal në ndërmarrjet private
thuaj se nuk ekziston. Kjo kryesisht për shkak të pasigurisë
ligjore të punëtorëve. Mos të flasim për kushte të punës,
pagat e të drejtat tjera nga puna që në shumë raste jo që
shkelen por i afrohen eksploatimit brutal.
Ne socialdemokratët përkrahim sindikatat si organizata të
interesit dhe jopolitike të punëtorëve, që në themel kanë
angazhimin dhe luftën sindikale për të krijuar kushte
kualitative të punës, të jetesës në bazë të punës për
anëtarët e vet dhe familjet e tyre, gjë të cilën sot e
realizojnë vështirë. E të mos flasim për qindra e mijëra të
papunë.
Përkrahja jonë është edhe për shkak se Sindikatat e Kosovës
janë reformiste.
Si sindikatë bashkëkohore, mënyra për realizimin e të
drejtave të punëtorëve të sindikatave tona janë: negociatat
– bisedimet, marrëveshjet kolektive, protestat, grevat,
ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, të gjitha mjetet paqësore dhe
kushtetuese.
Ne socialdemokratët mendojmë të jemi në partneritet të plot
me sindikatat sepse duhet të mbrojmë të drejtat elementare
ekonomike dhe sociale të punëtoreve, por edhe të të gjithë
qytetarëve.
Që sindikatat të arrijnë të realizojnë të drejtat e veta
PSD-ja do t’i mbështes ato që të bëjnë presion të fuqishëm
në shtet, duke u mbështetur edhe nga forcat tjera, si
organizatat qytetare, që shteti me respektimin e ligjit, t’i
detyrojë të gjithë punëdhënësit dhe punëtorët që të zbatojnë,
së paku, standardet e ILO–s për të drejtat e punëtorëve.
PSD–ja për këto qëllime insiston në aprovimin dhe
respektimin e pa kompromis të ligjeve, posaçërisht për
aprovimin e ligjit për punë, shëndetësi dhe pensione.
Por edhe sindikatat konsiderojmë se kanë nevojë për
demokratizim më të madh brenda tyre sepse vetëm kështu
sigurojnë qëndrueshmëri. Ato me çdo kusht duhet të bashkohen
rreth pikave të përbashkëta programore.
Sindikatat duhet të jenë të pavarura nga partitë politike.
Partitë politike dhe sindikatat duhen të çmojnë njëra
tjetrën për aq sa përputhen programet e tyre.
Ne Socialdemokratet mendojmë se edhe në Kosovë, si në shumë
vende të Evropës, partitë orientimit socialdemokrat, - do të
thotë të qendrës së majtë-, kanë shumë çështje të
përbashkëta me sindikatat.
(Fjala e mbajtur në konferencën "E majta në Kosovë",
organizuar më 24 janar 2009 në Prishtinë, nga Lëvizja
Popullore e Kosovëss.) |