Komente
Intervista
Lajme
Kulturë
Botime
Arkivi

 


Kërko në
  
www.google.com
Kërko në
  
www.lpk-kosova.com


  • Vetëvendosje!
  • KP 'Afrim Zhitia'
  • Nënë Shqipëri
  • Shqipëria.com
  • Albanian.com
  • Kosovapress
  • Kosova e Lirë
  • KosovaLive
  • ATSH
  • Lajme.net
  • Dwelle
  • Europaelirë
  • VOA
  • BBC
  • RTV ZiK
  • Epoka e re
  • Koha Ditore
  • Koha Jonë
  • Shekulli
  • Korrieri
  • Gazeta Sot
  • Shkëmbi.com
  • Mekuli
  •      
       
      IBRAHIM KELMENDI
     

    Disa defekte të organizimit partiak në Kosovë dhe riparimi i tyre

       
     

    Historia e organizimit vërtetë të lirë pluralist të partive politike në Kosovë është e re. Ky organizim e ka fillesën pas çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serb në vitin 1999.
    Organizim pluralist të partive politike në Kosovë kemi qysh në dekadat e fundit nën pushtimin xhon-turk, pastaj në dekadat nën pushtimin serb në mbretëritë SKS dhe të Jugosllavisë, si dhe nga fillimi i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Por ai organizim nuk ka qenë i lirë, meqë ka qenë tërësisht i toleruar dhe i kontrolluar nga pushtuesit.
    Siç dihet, popujt e pushtuar, në vendet e tyre të pushtuara, nuk mund të bëjnë organizim të lirë të partive të tyre politike, sepse po të lejoheshin nga pushtuesit ta bënin këtë, nuk do të duhej të vlerësoheshin të pushtuar.
    Rëndom, tani, disa individ, të vetëquajtur analistë, janë të prirur ta vlerësojnë organizimin e partive të shumta politike në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta si organizim të lirë. Unë vazhdimisht i kam kundërshtuar ata, me argumentet se ai ishte organizim i toleruar dhe i kontrolluar tërësisht nga Beogradi pushtues. Përndryshe, po të kishin të drejtë këta kasnecë të fushatave të koordinuara mashtruese, se në fillim të viteve të 90-ta në Kosovë kishim organizim të lirë politik e partiak, atëherë nuk do të kishim të drejtë të akuzonim regjimin e kriminelit Millosheviq për gjithë ato që me të drejtë e akuzojmë ne dhe Bashkësia ndërkombëtare.
    Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 u krijuan mundësitë e para për organizim të lirë të partive politike. Por edhe në këtë kohë qytetarët e Kosovës u privuan nga e drejta për të sanksionuar vet, me ligje përkatëse, format e organizimit. Këtë rrol e uzurpoi OKB-ja, duke ia kaluar të drejtën OSBE-së për mbikëqyrjen e organizimit të partive politike në Kosovë. Dhe që nga kjo kohë, mund të thuhet, nisi organizimi i lirë partiak, i konkretizuar me riorganizim të partive të deri atëhershme dhe me themelimin e partive të reja. Ato pastaj legalizoheshin pranë kësaj strukture ndërkombëtare. Në ato rrethana riorganizimin e partive të deri atëhershme dhe themelimin e partive të reja, pothuajse përgjithësisht, e ndërmorën grupime të ngushta interesi, të cilat, siç u vërejt më vonë, nuk kishin platforma programore ideore, sociale e politike, por mbisundoheshin vetëm nga interesat e ngushta të tyre për të ardhur me çdo kusht e mjet në pushtet, që ta shpërdoronin atë për pasurim të tyre të shpejt, gjithsesi të pandershëm.
    Pa u thelluar në analizimin e formimit dhe të zhvillimit të partive, shpreh mendimin se ato nuk kanë, pothuajse fare, as në këtë kohë, demokraci të brendshme. Ndonjëra ngjan në firma të keq menaxhuara private, ndonjë tjetër komandohet nga lideri përkatës partiak. Ato mbisundohen edhe nga organizimet e grupimeve të ngushta të interesit, në dukje paramilitare, për të komanduar e për të kontrolluar gjithë partinë. Të tilla organizime angazhoheshin kryesisht për të kontrolluar anëtarësinë, ta zëmë që mos bëjnë oponencë ndaj bosave të partive dhe për të survejuar e luftuar “armiqët politikë”, siç i trajtojnë ata kundërshtarët politikë. Veprimtaria e tyre e organizuar, gjithsesi gjysmë legale dhe antidemokratike, të shpresojmë e përfunduar pas shpalljes se pavarësisë shtetërore, duhet të ketë qenë edhe manovrimi me votimet brenda partive dhe gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare, për të përzgjedhur vetëm të dëgjueshmit e komandantëve të partive.
    Edhe një numër i anëtarëve të këtyre partive politike nuk janë për t’u lavdëruar. “Si hoxha - si xhemati”, shprehet populli. Po të kishin anëtarët e tyre kulturë demokratike e qytetare, atëherë ata do të kishin ndikuar në përmirësimin e udhëheqësve të tyre partiakë, duke imponuar konkurrencën e vlerave dhe në përzgjedhjen demokratike të kuadrit drejtues të partive përkatëse. Realitet i hidhur është se një pjesë e anëtarëve po shndërrohen në “argatë” të kryetarëve dhe klaneve të tyre të ngushta, me shpresë se po fituan ata, do t’i shpërblejnë pastaj me shpërdorim të pushtetit.
    Demokracia e brendshme e partive në Perëndim është shumë aktive dhe pëmbajtësore. Edhe pse janë demokraci të zhvilluara, partitë në Perëndim krijojnë fondacionet e tyre partiake, të cilat merren me organizim të seminareve të shumta për edukimin e anëtarësisë, duke trajtuar tematika të zhvillimeve demokratike, shoqërore, sociale e ekonomike. Në Kosovë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që partitë të organizojnë seminare edukuese për anëtarësinë. Duket se komandantëve të partive po u intereson më shumë që anëtarët të jenë sa më injorantë. Ata po vetëkënaqen me “vizita” të rralla që i bëjnë anëtarësisë dhe simpatizantëve në bazë, duke u mbajtur fjalime “të flakta” politike e patriotike, në të shumtën e rasteve pa përmbajtje domethënëse, sa për të rritur akoma më shumë autoritetin e tyre komandues. Shembull më të freskët për nivelin e lartë të demokracive brenda partive në Perëndim, kemi garën demokratike brenda partive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zgjedhur kandidatin partiak për President. Në Kosovë nuk kam dëgjuar ndonjëherë për garë të mirëfilltë të zgjedhjes se kryetarëve të partive, ose të përzgjedhjeve të kandidatëve partiak për kryeministër e kryetar shteti.
    Në partitë politike në Perëndim janë aktivë shumë intelektualë me kualifikime të larta profesionale, si profesorë, avokatë, gjyqtarë, biznesmenë, por edhe punëtorë e fshatarë. Një “përzierje” e tillë e socializon dhe e qytetëron më shumë anëtarësinë, meqë në parti ndodhin bashkangazhime shumë gjithëpërfshirëse. Në partitë tona fatkeqësisht nuk po hetoj asgjë të përafërt. Prandaj është me dobi për zhvillimin e përshpejtuar demokratik e shoqëror, që në partitë tona të angazhohen sa më shumë intelektual të mirëfilltë, të cilët, pos dijes profesionale, kanë edhe kulturë qytetare e demokratike. Angazhimi i tyre do të përshpejtonte demokratizimin dhe profilizimin e brendshëm të partive. Udhëheqjet partiake, që nuk dinë ose nuk duan të menaxhojnë demokratikisht partitë, ato pasi të vinë në pushtet, nuk do të dinë dhe nuk do të duan të qeverisin demokratikisht shoqërinë dhe Shtetin e Kosovës.
    Problem tjetër serioz me të cilin ballafaqohen partitë tona janë financimi i tyre. Partitë demokratike në Perëndim mund t’ia lejojnë luksin vetes për të gjitha angazhimet e sipërpërmendura, sepse kanë mjete të bollshme financiare, të cilat e kanë burimin nga anëtarësia, nga buxheti i shtetit, nga donacionet e deklaruara. Kurse partitë tona marrin fond simbolik nga buxheti i shtetit, nuk kanë të ardhura financiare nga anëtarësia, sepse shumica e anëtarëve janë skajshmërisht të varfër dhe nuk kanë donacione legale (kryesisht për shkak të mungesës se ligjit përkatës). Ndërsa, ta zëmë në Gjermani parlamentarët evropianë, federativë, republikanë, komunalë, që marrin rroga për përfaqësim të partive të tyre, pothuajse e kanë të përcaktuar përqindjen e pagës për ta derdhur në buxhet të partisë, nuk besoj që parlamentarët, ministrat, funksionarët tanë, që i dërgojnë partitë në Kuvend e në Qeveri të Kosovës, të japin diçka nga paga e tyre për partitë që i përfaqësojnë. Dhe prandaj po vazhdon të rritet dyshimi për origjinën e mjeteve me të cilat po financohen tani partitë. Kur partive u mungojnë mjetet legale financiare, atëherë udhëheqjet përkatëse partiake sikur ndjehet të detyruara të financohet nga burime të inkriminuara, pastaj nga ndihmat e kushtëzuara të biznesit kryesisht joformal dhe nga shpërdorime të tjera. Që të zbutet kjo gjendje, gjegjësisht që të ndihmohen partitë për t’u demokratizuar sa më shumë, Kuvendi i Republikës se Kosovës duhet të marrë vendim që t’u ndajë partive nga buxheti shtetëror mjete të mjaftueshme financiare për funksionim normal të tyre. Ndoshta për fillim, deri sa ta kemi buxhetin e Kosovës kaq të vogël, do të mjaftonin rreth 10 euro në vit për çdo votë të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo kuotë do t’i kushtonte buxhetit të shtetit maksimalisht rreth 15 milionë euro në vit, nëse do të dilnin në votim të gjithë qytetarët me të drejtë vote, gjegjësisht rreth 7 milionë, meqë nuk po votojnë as gjysma e qytetarëve.
    Dëshmi tjetër tepër kokëforte se partitë tona nuk i kemi demokratike është fakti se këto nuk po i qasin partitë evropiane. Ndodh kjo për shkak të mosprofilizimit ideor, filozofik, politik, social e demokratik të partive tona. Kryetarët e partive ekzistuese ende nuk po e dinë ose nuk po duan ta dinë se cilit krah ideopolitik dhe cilës shtresë sociale u takojnë. Ndodh kështu pasi ata nuk kanë përgatitjen e mjaftueshme politike e demokratike, rrjedhimisht nuk kanë koncepte ideore e profilizuese. Mosprofilizimi i partive tona, gjegjësisht mos anëtarësimi i tyre në federatat partiake evropiane, siç janë Internacionalja Socialiste, Federatat e partive popullore, e partive liberale, e partive ekologjike, etj., bart në vete një dëshmi serioze të prapambetjes se partive tona. Mos anëtarësimi i partive tona në federatat përkatëse evropiane dhe botërore po i kushton njohjes së përshpejtuar të Republikës së Kosovës nga shumica e shteteve të botës, sepse këto federata janë të shtrira pothuajse në të gjitha shtetet, përkatësisht partitë anëtare të këtyre federatave janë në pushtet në shtetet përkatëse. Po të kishin qenë të anëtarësuara partitë tona në këto federata, atëherë vetë ato federata do të kishin bindur partitë përkatëse që janë në pushtet, që ta njihnin më shpejt Republikën e Kosovës shumica e shteteve të Botës. Duke i vlerësuar këto federata partitë tona si jodemokratike dhe të paprofilizuara, atëherë na del se edhe shoqërinë tonë, gjegjësisht Shtetin tonë, na i vlerësojnë si të pazhvilluara dhe jodemokratike, nga rrjedhin dilemat, paragjykimet, hezitimet, ndaj liderëve, partive, shoqërisë dhe Shtetit tonë. Meqë vlerësoj kështu, do të sugjeroja, që partitë tona ngutësisht të profilizoheshin e demokratizoheshin. Kjo do përshpejtonte anëtarësimin e tyre në këto federata evropiane e botërore. Nëse për profilizim udhëheqësit partiak nuk kanë dije përkatëse, sigurisht që mund t’i lusin për ndihmë këshillimore partitë përkatëse në Perëndim. Në raste të ngjashme ato kanë shfaqur interesim dhe gatishmëri për të ofruar përkrahjen për këshillime profesionale, bile kanë dhënë edhe ndihma financiare, sepse ato janë të interesuar që të ndihmojnë partitë e reja në zhvillim e tyre demokratik.
    Te ne ende nuk kemi as profilizim social të shoqërisë sonë, pasi tek tani jemi në fazën e parë të kapitalizmit vulgar. Për rrjedhojë, të gjithë udhëheqësit e partive tona në fushata zgjedhore ose në raste të tjera thonë se i përkasin qendrës se djathtë, meqë është në vazhdën e rrjedhës primitive e mondane për të qenë sa më antikomunist, për shkak të debaklit të merituar botëror të monizmit pseudo komunist e pseudo socialist. Udhëheqësit e partive tona ndonjëherë thonë se janë të djathtë, edhe pse bindjet dhe kulturën sociale, për aq sa kanë, i kanë të majta, për shkak të prejardhjes së tyre sociale ose për shkak të “të traditës” se pleksur ideologjike. Programet dhe platformat partiake e elektorale ngjajnë në mes tyre si pikat e ujit, dhe po t’ua heqësh emrin e partive, nuk do të dinin as specialistët t’i dallonin se cilës parti i përkasin. Që të ndodh profilizimi i përshpejtuar shoqëror e social i shoqërisë sonë, rrol të madh do të luante profilizimi dhe demokratizimi sa më i përshpejtuar i partive ekzistuese.
    Partitë tona tashmë duhet të kenë kurajë kombëtare, qytetare e politike për të anëtarësuar në radhë të tyre pjesëtarë të etnive të tjera nacionale, për të kontribuar kështu që të tejkalohet “pastërtia” nacionale. Ky dhe drejtimi i kundërt, anëtarësimi i shqiptarëve në partitë e etnive minoritare, do ishte në interes madhor të Republikës së Kosovës, në interes të bashkëjetesës dhe të zhvillimit të përshpejtuar demokratik të shoqërisë sonë. Segregacioni nacionalist i partive ekzistuese frenon zhvillimin demokratik e multietnik të shoqërisë sonë. Pothuajse të gjitha partitë në Kosovë tani mund të karakterizohen si nacionaliste, përderisa ruajnë përcaktimin e “pastërtisë” së tyre nacionale. Ende nuk po ndodh anëtarësimi multietnik, sepse kuadrot drejtuese të partive po frikësohen se mos po humbin reputacionin e patriotizmit të tyre nacionalist. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi partitë shqiptare, si parti të popullit shumicë. Ato duhet të hapen karshi pjesëtarëve të etnive të tjera. Partitë ekzistuese një-nacionale tashmë duhet të zhvillohen drejt partive të qytetarëve, pavarësisht përkatësive të tyre etnike. Por, për të bërë këtë kapërcim cilësor, udhëheqësit e partive tona duhet të kenë vizion dhe kurajë qytetare, duhet të vënë në plan të parë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, përkatësisht interesin për zhvillim të përshpejtuar multietnik e demokratik të shoqërisë sonë dhe assesi interesin e tyre egoist për të qeverisur me çdo kusht, gjegjësisht për t’u pasuruar pandershmërisht përmes pushtetit që e marrin nga votues një-nacionalë.
    Meqë partitë nuk i kemi demokratike, atëherë del se edhe shoqërinë nuk e kemi demokratike. Mund që është e kundërta, po të kemi parasysh pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhje. Nga kjo mund të konstatohet, se shumicën e qytetarëve i kemi të vetëdijesuar demokratikisht e qytetarisht më shumë se sa partitë, por meqë nuk garon asnjë parti vërtet demokratike, sipas kritereve të tyre, atëherë ata nuk dalin në zgjedhje, pasi gjykojnë se asnjë parti garuese nuk e meritojnë votën e tyre.
    Duke pasur parasysh faktin se në zgjedhjet e fundit lokale e parlamentare nuk morën pjesë mbi 60 për qind e votuesve, shtrohet dilema nëse do duhej themeluar parti vërtetë të profilizuara, edhe të spektrit të majtë, për shkak të përkatësisë masive sociale të popullatës sonë. Në dukje ky propozim duket anakronik, kur dihet fakti se në Kosovë edhe ashtu kemi tepër shumë parti. Por meqë nuk ka gjasa që ato të profelizohen e të demokratizohen, për të reprezuar besnikërisht interesat e votuesve, atëherë mund që ka hapësirë të bollshme për formim të ndonjë partie të re, sidomos me përcaktim doktrinar e social të majtë, që pastaj t’i nënshtrohen garës pozitive seleksionuese. Kjo ndoshta do të motivojë shumicën e jo-votuesve të tanishëm, të cilët po ndihen të zhgënjyer nga partitë ekzistuese, nga se nuk po i përfaqësojnë interesat e tyre.
    Në përfundim të fjalës sime nuk do përmbahem pa shprehur shqetësimin tim alarmues për mosinteresimin e elitës sonë politike dhe intelektuale, e cila nuk po merakoset për të vërtetën shokuese – të mos përfaqësimit në pushtet të mbi 60 për qind të popullsisë, gjegjësisht të qeverisjes aktuale të Shtetit tonë nga qeveritarë të votuar vetëm nga rreth 20 për qind e popullsisë.

    (Fjala e mbajtur në konferencën "E majta në Kosovë", organizuar më 24 janar 2009 në Prishtinë, nga Lëvizja Popullore e Kosovëss.)