|
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni t'ju përshëndes dhe t'ju falenderoj për
pjesëmarrje.
Konferenca që po mbahet sot duhet kuptuar si njëra ndër
variantet e takimeve për të majtën në Kosovë, që janë duke u
mbajtur herë pas here. Me këtë rast meriton një përshëndetje
të veçantë puna e Fondacionit Fridrih Erbert Stiftung, zyra
e saj në Prishtinë e kryesuar nga znj. Besa Luzha.
Në takimet e deritashme kemi marrë pjesë rregullisht dhe në
këtë takim janë ftuar të gjithë ata me të cilët kemi qenë
bashkë në tryezat e mëhershme për profilizimin e të majtës
dhe për të majtën në Kosovë: PDK, PSD dhe Partia Reformiste
ORA.
Në mënyrë të veçantë më lejoni t’i përshëndes të gjithë
panelistët që kanë marrë temat dhe janë angazhuar që t’i
prezantojnë ato sot këtu. Por edhe ata që kanë pasur dëshirë,
mirëpo për shkak të kohës nuk kanë mundur të vijnë kësaj
radhe me bindje se së shpejti do takohemi në aktivitete të
ngjashme.
Lidhur me panelistët më lejoni të sqaroj se ata janë ftuar
në cilësinë e ekspertëve dhe analistëve për fushën e caktuar,
pavarësisht se ata janë të angazhuar edhe në jetën shoqërore
e politike të vendit.
Pas pavarësimit të Kosovës gradualisht, por sigurt në
politikë është duke ndodhur një rreshtim tjetër, nga ai që
ishte deri më tani, rreshtim në bazë të ideve, pra në baza
ideologjike e zhvillimore. Ky është rreshtimi në krahun e
majtë të politikës dhe në krahun e djathtë të saj.
E majta në Kosovë ka filluar t’i shfaqë qëndrimet e veta për
një varg çështjesh për zhvillimin e vendit.
Sot do të flitet vetëm për disa aspekte që lidhen me të
majtën në Kosovë që kanë të bëjnë me:
Krizën financiare e ekonomike globale dhe reflektimin e saj
në Kosovë;
Pse profilizimi i partive politike në Kosovë ndihmon
zhvillimin e vendit?;
Cila është struktura sociale dhe orientimi i partive
politike në Kosovë?;
Çështja e pronës, privatizimit dhe e majta në Kosovë?
Çështja e integrimeve euroatlantike dhe e majta në Kosovë?
E majta në Kosovë duhet të trajtojë edhe shumë tema tjera që
janë të nevojshme për rrumbullakimin e pikëpamjeve të veta:
Nga qëndrimi ndaj çështjeve globale e deri te çështjet më të
vogla.
Kosova ka nevojë të madhe që të qartësohen edhe çështjet
lidhur me ambientin dhe mjedisin. Megjithëse vend i vogël,
jemi me ndikim të madh negativ në rajon sa i përket ndotjes
së ambientit me termocentralet e thëngjillit që kemi.
Në Kosovë ka nevojë të flitet shumë për mirëkuptim,
bashkëjetesë e harmoni, që në shumë segmente është e
përcjellur fatkeqësisht nga dhuna, racizmi, diskriminimi.
Çdo vendi i duhet uniteti për çështjet kryesore kohezive.
Vendit tonë kjo i duhet më shumë se cilitdo tjetër. Dhe për
çështjet që duhet të kemi unitet ne e kemi atë. Por nëse
diçka duhet të trajtohet ndaras, dhe të ketë konkurrencë,
është shtrimi i ideve për zhvillimin e vendit.
Në të kaluarën vendi ynë, në fushën e politikës dhe të
mendimit, shpesh është marrë me jehonën e politikave apo
ideologjive në botë, donë të thotë se jo me vetë ato. Jo një
herë është marrë me politika e situata ndoshta pikërisht në
kohën kur ka qenë dashur që ato të braktisen.
Nuk është mirë që në vendin tonë sot të merremi me teori të
neoliberalizmit dhe praktika që tashmë nuk shkojnë në
ekonomi dhe në tregti, në kohën kur të gjitha vendet po
veprojnë ndryshe.
Deri në krizën e fundit globale financiare e ekonomike u
përhapën teori dhe u aplikuan praktika të një bashkëveprimi
të së majtës dhe të djathtës, të konservatorëve dhe
progresistëve, duke shkuar deri aty sa të deklarohen se më
nuk ekziston një kufi ndarës, gjë që do të ishte e
dëshirueshme. Por a është kjo e mundur? Këta teoricienët u
nisën edhe nga perceptimi jo esencial, nga taktikat politike
për formimin e qeverive të përziera ideologjike që vijnë nga
rrjedhime jashtë ideologjike, apo duke u nisur nga
kompromiset e çastit, të përbashkëta, për politika të
caktuara. Pas krizës së tashme janë rishfaqur dallimet, duke
u nisur që nga trajtimi i krizës financiare dhe në politikat
ekonomike dhe duke vazhduar në fusha tjera të jetës.
Ende te e majta jonë nuk janë trajtuar dhe tema tjera me
rëndësi të madhe. Progresistët janë kundër konservatorizmit
në shoqërinë tonë sepse ai ka filluar të pengojë seriozisht
zhvillimin e vendit.
Shfaqjet konservatore dhe prapanike në fushën e të drejtës
ku vetëgjyqësia dhe e drejta zakonore kanunore praktikohet
jashtë çdo ligji të civilizimit të sotëm në botë është
dukuri e cila po dëmton vendin tonë dhe si e tillë duhet
ndryshuar kjo gjendje.
Konservatorizmi dhe kthimi mbrapa në shoqërinë tonë shihet
edhe në fushën e besimit. Shoqëritë sot, edhe këtu në vendin
tonë, kanë bërë shumë pak që laikët të ndihen mirë në
shoqërinë tonë, që ata të mos kenë presion në jetën e
përditshme nga disa qarqe të klerit fetar dhe pasuesit e
tyre.
Njerëzit progresist, të dijes shkencore të sotme, janë shumë
larg këmbëngulësisë së iluministëve të Rilindjes Europiane
dhe Rilindjes kombëtare në përpjekje për sqarimin e dëmeve
nga dogmat në shoqëri dhe fanatizmi fetar në veçanti,
megjithëse në ditën e sotme rreziku nga kjo anë nuk i
kërcënohet vetëm një pjese të botës por gjithë civilizimit.
Shoqëria ka mundësi të jetë e bashkuar vetëm po të
identifikohet gjendja reale në shoqëri, pavarësisht
dallimeve që ekzistojnë, pavarësisht shtresimeve,
pavarësisht përfaqësimit të tyre. Kështu më lehtë ka mundësi
që njerëzit të shikojnë përtej ndarjeve dhe të ndërtojnë ta
ardhmen në diversitet.
Duke qenë të vetëdijshëm se na pret një punë e gjatë ju
përshëndes dhe ju falënderojë për vëmendje.
|