|
Bashkatdhetarët e mi!
Qëndroj sot para jush me respektin për detyrën që kemi
përpara, mirënjohës për besimin që më keni dhënë, i
vetëdijshëm për sakrificat që kanë bërë paraardhësit tanë.
Falënderoj Presidentin Bush për shërbimin e tij ndaj vendit,
si dhe për bujarinë dhe bashkëpunimin e tij gjatë gjithë
këtij tranzicioni.
44 amerikanë e kanë bërë këtë betim presidencial. Fjalimet
janë mbajtur gjatë periudhave të intensifikimit të begatisë
dhe kohëve të paqes së qëndrueshme. Megjithatë, hera herës,
betimi është bërë edhe në kohë stuhish të ashpra. Në këto
momente, Amerika ka çarë përpara, jo vetëm si rezultat i
aftësive të atyre që kanë mbajtur këtë post të lartë, por
sepse Ne Populli kemi pasur besim në idealet e paraardhësve
tanë dhe dokumentet e themelimit tonë.
Kështu ka qenë. Kështu duhet të jetë për të gjitha brezat e
amerikanëve.
Që ne jemi tani në mes të krizës, kjo është mjaft e qartë.
Vendi ynë është në luftë kundër një rrjeti të gjerë dhune
dhe urrejtjeje. Ekonomia jonë është dobësuar së tepërmi,
pasojë e etjes së pakontrolluar për fitime dhe
papërgjegjësisë që kanë treguar disa, por gjithashtu edhe
për shkak të dështimit tonë kolektiv për të bërë zgjedhje të
vështira dhe për ta përgatitur vendin për një epokë të re.
Shumë njerëz kanë humbur shtëpitë dhe vendet e punës, shumë
biznese janë mbyllur. Shërbimi ynë shëndetësor është shumë i
kushtueshëm, shkollat tona kanë lënë shumë të zhgënjyer, dhe
çdo ditë sjell të dhëna të mëtejshme se mënyrat si ne e
përdorim energjinë, i shërbejnë forcimit të kundërshtarëve
tanë dhe kërcënojnë planetin tonë.
Këto janë tregues të krizës, sipas zërave dhe statistikave.
Më pak e matshme, por jo më pak e rëndësishme është humbja e
besimit në mbarë vendin, një frikë ngacmuese se rënia e
Amerikës është e pashmangshme dhe se brezi ynë i ardhshëm
duhet të ulë standardin.
Ju them sot se sfidat që kemi përballë janë reale. Ato janë
serioze dhe të shumta. Ato nuk do të kapërcehen lehtë ose
gjatë një harku të shkurtër kohor. Por, Amerikë duhet ta
dish se ato do të kapërcehen.
Ne jemi mbledhur sepse kemi zgjedhur shpresën ndaj frikës,
bashkimin për një qëllim ndaj konfliktit dhe grindjeve.
Në këtë ditë ne proklamojmë fundin e etjes së papërmbajtur
për fitim dhe premtimeve false, justifikimeve dhe
demagogjisë së demoduar, që për një kohë shumë të gjatë i
kanë mbytur politikat tona.
Ne mbetemi një vend i ri, por sipas fjalëve të Biblës, ka
ardhur koha për të lënë mënjanë sjelljet fëminore. Ka ardhur
koha të riafirmojmë shpirtin tonë të fuqishëm, të zgjedhim
atë çka është e mirë nga historia, të çojmë përpara atë
dhuratë të çmuar, atë ide fisnike, të trashëguar nga brezi
në brez: Premtimin e Zotit se të gjithë njerëzit janë
krijuar të barabartë, të gjithë janë të lirë dhe të gjithë
meritojnë shansin të jenë plotësisht të lumtur.
Duke riafirmuar madhështinë e vendit tonë, ne e kuptojmë se
madhështia nuk është kurrë dhuratë. Ajo duhet fituar.
Rrugëtimi ynë nuk ka qenë kurrë i lehtë dhe me kërkesa
minimale. Nuk ka qenë rrugëtimi i të dobëtit, i atyre që
zgjedhin argëtimin ndaj punës, ose që përpiqen vetëm për
kënaqësinë që jep pasuria dhe fama. Por kanë qenë ata që
kanë marrë parasysh rreziqet, ata që kanë sakrifikuar, ata
që kanë krijuar – shpesh nga ata burra dhe gra që kanë
punuar shumë dhe pa u dukur, që na kanë çuar përpara në
rrugën e vështirë drejt begatisë dhe lirisë.
Për ne, ata morën me vete sendet e tyre dhe udhëtuan përmes
oqeanesh në kërkim të një jete të re.
Për ne, ata iu drejtuan Perëndimit, kapërcyen vështirësi dhe
punuan tokën e fortë.
Për ne, ata luftuan dhe dhanë jetën, në vende si Konkordi,
Getisburgu, Normandia dhe Khe Sahni.
Këta burra dhe gra u përpoqën, sakrifikuan dhe punuan pa
pushim derisa duart u zunë kallo, që ne të mund të gëzonim
një jetë më të mirë. Për ta, Amerika qëndronte mbi ambiciet
tona personale, mbi origjinën tonë të ndryshme, mbi pasurinë
apo grupimet.
Në këto gjurmë ne vazhdojmë sot. Ne vazhdojmë të jemi vendi
më i begatë dhe më i fuqishëm në botë. Punonjësit tanë nuk
janë më pak produktivë tani sesa para se të fillonte kriza.
Mendjet tonë nuk janë më pak krijuese, mallrat dhe shërbimet
tona janë po aq të nevojshme sa ç’ishin para një jave, një
muaji, një viti. Aftësitë tona nuk janë pakësuar. Por koha
për të ndenjur pa vepruar, e mbrojtjes së interesave të
ndryshme, e shtyrjes së vendimeve të pakëndshme ka kaluar.
Duke filluar që sot, duhet të ngrihemi, të lëmë mënjanë
plogështinë dhe të fillojmë përsëri punën e rindërtimit të
Amerikës.
Sepse ngado t’i hedhim sytë ka punë për të bërë. Gjendja e
ekonomisë kërkon ndërhyrje të guximshme dhe energjike dhe ne
do të veprojmë jo vetëm për të hapur vende pune, por për të
vënë themele të reja për zhvillim. Do të ndërtojmë rrugët
dhe urat, rrjetet elektrike dhe linjat digjitale që
mbështesin tregtinë dhe na lidhin me njëri-tjetrin. Do ta
rikthejmë shkencën në vendin e merituar dhe do t’i hapim
rrugën mrekullive të teknologjisë për të rritur cilësinë e
kujdesit shëndetësor dhe për t’ia ulur atij koston. Ne do të
përdorim energjinë diellore, erën dhe tokën për makinat dhe
fabrikat tona. Si edhe do t’i transformojmë shkollat dhe
universitetet tona për të plotësuar kërkesat e epokës sonë
të re. Ne mund t’i bëjmë të gjitha këto. Dhe do t’i bëjmë të
gjitha.
Ka nga ata që i vënë në pikëpyetje ambiciet tona, që thonë
se sistemi ynë nuk i përballon dot kaq shumë plane të mëdha.
Kujtesa e tyre është e shkurtër. Sepse e kanë harruar atë që
ka bërë ky vend; se çfarë mund të realizojnë burrat dhe
gratë kur imagjinata përdoret për një qëllim të përbashkët
dhe kur nevoja kthehet në kurajo.
Ajo që cinikët nuk e kuptojnë është se toka nën këmbët e
tyre ka lëvizur, se argumentet e vjetra politike që na kanë
konsumuar për një kohë kaq të gjatë nuk vlejnë më. Pyetja që
shtrojmë sot është jo nëse qeveria jonë është shumë e madhe,
apo shumë e vogël, por a funksionon, nëse ndihmon familjet
të gjejnë punë të mira, nëse siguron kujdes shëndetësor të
përshtatshëm, nëse mundëson një pension me dinjitet. Nëse
përgjigja është po, duhet të bëjmë përpara, nëse përgjigja
është jo, ato programe duhet të eliminohen. Dhe ata që
menaxhojnë paratë e publikut do të mbahen përgjegjës, të
shpenzojnë me kujdes, t’i ndryshojnë prirjet e gabuara dhe
t’i bëjmë bizneset tona hapur, sepse vetëm ashtu mund të
rikthejmë besimin vital mes njerëzve dhe qeverisë së tyre.
Përsa i përket mbrojtjes tonë të përbashkët, ne hedhim
poshtë si të gabuar zgjedhjen mes sigurisë dhe idealeve tona.
Themeluesit e Kombit tonë, përballuan vështirësi që ne as
mund t’i imagjinojmë, ata hartuan një kartë për të garantuar
sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, një kartë që i
ka rrënjët në gjakut e brezave. Ato ideale ende hedhin dritë
mbi botën dhe ne nuk do të heqim dorë prej tyre, për
përfitime të çastit. Prandaj për gjithë njerëzit edhe
qeveritë që po na ndjekin sot, nga kryeqytetet më të mëdha e
deri tek fshati i vogël ku lindi babai im, ta dinë se
Amerika është mikja e çdo vendi dhe çdo burri, gruaje dhe
fëmije, që përpiqen për një të ardhme në paqe dhe me
dinjitet, dhe ne jemi gati për të udhëhequr edhe një herë.
Mos harroni se brezat e mëparshëm u përballën me fashizmin
dhe komunizmin, jo vetëm me raketa dhe tanke, por me aleanca
dhe bindje të qëndrueshme. Ata e kuptuan se vetëm pushteti
nuk mund të na mbrojë dhe as na jep të drejta të bëjmë si të
duam. Ata e dinin se fuqia jonë shtohet përmes përdorimit të
kujdesshëm, siguria jonë buron nga drejtësia e kauzës sonë,
forca e shembullit tonë, modestia dhe përmbajtja.
Ne jemi ata që mbajmë mbi shpatulla këtë trashëgimi. Të
udhëhequr edhe një herë nga këto parime, ne do t’i
përballojmë kërcënimet e reja që kërkojnë përpjekje më të
mëdha, madje edhe bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh mes
vendeve. Ne do të fillojmë me përgjegjshmëri t’ia lëmë
Irakun popullit të tij dhe të forcojmë paqen e arritur me
sakrifica të mëdha në Afganistan. Me miq të vjetër dhe
ish-armiq, ne do të punojmë pa u lodhur për të pakësuar
rrezikun bërthamor dhe do të përpiqemi për të ngushtuar
spektrin e ngrohjes globale. Ne nuk do të kërkojmë falje për
mënyrën tonë të jetesës, as nuk do të heqim dorë nga
mbrojtja jonë, dhe për ata që kërkojnë të çojnë përpara
qëllimet e tyre duke mbjellë terror dhe duke vrarë njerëz të
pafajshëm, ne u themi se shpirti ynë është i fortë dhe nuk
mund të thyhet, ju nuk mund të fitoni ndaj nesh, ne do t’ju
mundim.
Ne e dimë se mozaiku i trashëgimisë tonë është forcë dhe jo
dobësi. Ne jemi një vend të krishterësh dhe myslimanësh,
hebrenjsh dhe hindusësh, si dhe vend jo besimtarësh. Ne jemi
formuar nga çdo gjuhë dhe kulturë që vjen nga çdo skaj i
botës dhe sepse ne kemi ndjerë shijen e hidhur të luftës
civile dhe ndarjes racore, dhe kemi dalë nga ai kapitull i
errë më të fortë dhe më të bashkuar, ne besojmë se urrejtjet
e vjetra një ditë do të shuhen, se ndarjet fisnore shpejt do
të zhduken, dhe ndërkohë që bota po zvogëlohet, njerëzimi
ynë i përbashkët do të rishfaqet dhe Amerika duhet të luajë
rolin e saj për nxitjen e një epoke të re paqeje.
Botës myslimane i themi se ne kërkojmë një rrugë të re
përpara, bazuar në interesat e përbashkëta dhe respektin
reciprok. Atyre udhëheqësve të botës që kërkojnë konflikt
apo fajësojnë perëndimin për mangësitë e shoqërive të tyre,
u themi se populli juaj do t’ju gjykojë për çfarë do të
ndërtoni dhe jo për çfarë do të shkatërroni. Atyre që mbahen
në pushtet përmes korrupsionit dhe mashtrimit, nëpërmjet
shtypjes së disidencës, u themi se tani që ju jeni në anën e
gabuar të historisë, ne do t’jua zgjasim dorën, në qoftë se
ju jeni të gatshëm të zgjasni dorën të parët.
Ndaj vendeve të varfra të botës, ne angazhohemi të punojmë
së bashku për lulëzimin e fermave tuaja, për ujë të pijshëm,
për të ushqyer njerëzit dhe mendjet e uritura. Dhe atyre
vendeve si i yni që gëzojnë relativisht shumë, ne u themi se
nuk mund të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve përtej kufijve
tanë dhe as do të vazhdojmë të konsumojmë burimet e botës pa
marrë parasysh efektet. Bota ka ndryshuar dhe ne duhet të
ndryshojmë bashkë me të.
Ndërkohë që po nisim rrugën që kemi përpara, ne kujtojmë me
mirënjohje ata amerikanë të guximshëm që pikërisht në këto
momente patrullojnë në shkretëtirat dhe malet e largëta. Ata
kanë diçka për të na thënë sot, po ashtu si heronjtë që
prehen për jetë në kodrën e Arlingtonit. Ne i nderojmë ata
jo vetëm si ruajtës të lirisë sonë, por sepse ata mishërojnë
shpirtin e shërbimit, vullnetin për të gjetur diçka më të
madhe se vetja. Madje, në këtë moment, një moment që do të
përcaktojë një brez, është pikërisht ky shpirt që duhet të
jetojë tek të gjithë ne.
Sepse sado që mund dhe duhet të bëjë qeveria, në fund të
fundit vendi mbështetet tek besimi dhe vendosmëria e
popullit amerikan. Ajo që na bën t’i kapërcejmë orët tona më
të vështira, është mirësia për të marrë në shtëpi një njeri
të panjohur pas shkatërrimit të digave, altruizmi i
punëtorëve që pranojnë të pakësojnë orët e tyre të punës,
për të mos lejuar shokët e tyre të humbin punën. Është
guximi i zjarrfikësve për të hyrë në një korridor të mbushur
me tym, por edhe dëshira e një prindi për të rritur me
dashuri një fëmijë, që në fund të fundit përcaktojnë fatin
tonë.
Sfidat tona mund të jenë të reja. Mjetet që ne përdorim për
t’i përballuar ato mund të jenë të reja. Por vlerat nga të
cilat varet suksesi ynë, puna dhe ndershmëria, kurajoja dhe
drejtësia, toleranca dhe kureshtja, besnikëria dhe
patriotizmi, të gjitha këto kanë qenë me ne gjithmonë. Këto
janë të vërteta. Kanë qenë forca që ka nxitur përparimin
tonë gjatë gjithë historisë. Ajo që duhet, është kthimi tek
këto të vërteta. Ajo që kërkohet prej nesh, është një epokë
e re përgjegjësish, që çdo amerikan të kuptojë se kemi
detyrime ndaj vetvetes, ndaj vendit dhe ndaj botës, që ne
nuk i pranojmë me ngurrim por i marrim përsipër me kënaqësi,
të bindur se asgjë nuk e kënaq më shumë shpirtin, asgjë nuk
i jep më shumë formë karakterit, sesa përmbushja pa rezerva
e një misioni të vështirë.
Ky është çmimi dhe premtimi i të qenit qytetar.
Ky është burimi i besimit tonë – vetëdija se Zoti na bën
thirrje t’i japim formë një fati të pasigurt.
Ky është kuptimi i lirisë dhe i kredos sonë – që i bën
burrat dhe gratë dhe fëmijët e të gjitha racave dhe të
gjitha besimeve të mblidhen në këtë festë të mrekullueshme
dhe pse një burrë, babait të të cilit më pak se 60 vjet më
parë mund t’i ishte mohuar shërbimi në restorant, qëndron
sot para jush për të bërë betimin më të shenjtë.
Pra le ta shënojmë këtë ditë duke kujtuar se cilët jemi dhe
sa përpara kemi ecur. Në vitin e ditëlindjes së Amerikës, në
muajin më të ftohtë, një grup i vogël patriotësh u mblodh
rreth zjarrit që përpëlitej në brigjet e një lumi të akullt.
Kryeqyteti ishte i braktisur. Armiku po përparonte. Bora
ishte mbushur me njolla gjaku. Në momentin kur rezultati i
revolucionit tonë ishte më shumë se kurrë në dyshim, babai i
kombit tonë porositi që këto fjalë të lexoheshin para
njerëzve.
“Ta marrë vesh bota e ardhshme … që në zemër të dimrit, kur
të vetmet që mund të mbijetonin ishin shpresa dhe virtyti,
qyteti dhe vendi të alarmuar nga një rrezik i përbashkët, u
mblodhën së bashku për t’i bërë ballë”.
Amerikë! Përballë rreziqeve tona të përbashkëta, në këtë
dimër të vështirë, le t’i kujtojmë këto fjalë që nuk njohin
kohë. Me shpresë dhe virtyt, le t’u bëjmë ballë edhe një
herë me guxim rrymave të acarta dhe t’i kapërcejmë çfarëdo
stuhish që do na rrahin. Le të rrëfejnë fëmijët e fëmijëve
tanë se kur ne u vumë në provë, ne nuk pranuam që ky udhëtim
të ndërpritej, se ne nuk kthyem kurrizin dhe as nuk u
zmbrapsëm; dhe me sytë nga horizonti dhe me mirësinë e Zotit
mbi ne, ne e çuam përpara këtë dhuratë të madhe të lirisë
dhe ia pasuam të paprekur brezave të ardhshëm.
|