Komente
Intervista
Lajme
Botime
Arkivi

 


Kërko në
  
www.google.com
Kërko në
  
www.lpk-kosova.com


  • Vetëvendosje!
  • KP 'Afrim Zhitia'

  • Nënë Shqipëri

  • Shqipëria.com

  • Albanian.com
  • Kosovapress
  • KosovaLive
  • ATSH
  • Dwelle
  • Europaelirë
  • VOA
  • BBC
  • Epoka e re
  • Koha Ditore
  • Koha Jonë
  • Shekulli
  • Korrieri
  • Gazeta Sot
  • Lajme.net
  • Shkëmbi.com
  • Driarm
  •  

     

    Akademi politike - Roli dhe kontributi i Ukshin Hotit në çështjen shqiptare


     
     

    Mr. Ukshin Hoti paralajmërues i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

    Prishtinë, 16 maj 2008

     

    Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë, u mbajt akademi politike “Roli dhe kontributi i Ukshin Hotit në çështjen shqiptare”.
    Në fjalimin e tyre kryeministri Hashim Thaçi, akademik Pajazit Nushi dhe dr. Moikom Zeqo, e vlerësuan lartë rolin e magjistër Ukshin Hotit, si politikolog, idealist, filozof, vizionar i çështjes kombëtare shqiptare dhe si kolos i pavarësisë së Kosovës.
    “Fati i pazbardhur i profesor Ukshin Hotit është brengosës për gjithë vendin dhe për institucionet e Kosovës. Profesor Ukshin Hoti me dije dhe shkencë mbrojti kërkesën e drejtë për Kosovën Republikë”, tha kryeministri HashimThaçi.
    “Rruga jetësore e profesor Ukshin Hotit, është rruga e historisë së popullit të tij, një luftë e përhershme kundër sundimit mbi Kosovën, pavarësisht formës së sistemeve politike, një rrugë në kërkim të lirisë”, tha kryeministri Thaçi. (Lexo fjalën e plotë)
    Akademik Pajazit Nushi, profesor i magjistër Ukshin Hotit, foli për angazhimin e tij të hershëm, që nga koha e studimeve, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, në këtë kuadër edhe për organizimin e popullit shqiptar.
    “Kosovën e viteve të ’80-të, të shekullit të kaluar profesor Ukshin Hoti e konsideronte në gjendje okupimi, prandaj angazhohej për lirimin e saj nga gjendja okupuese, - le të jetë liria e saj edhe zgjidhje e një pjese të çështjes shqiptare”, tha profesor Pajazit Nushi.
    "Emri i Ukshin Hotit është i njeriut të shndërruar në histori, ku e ardhmja do të kuptimësojë pafundësisht të tashmen, por edhe të kaluarën. Dje dhe sot!", tha dr.Moikom Zeqo, recensent i librit të magjistër Ukshin Hotit "Filozofia politike e çështjes shqiptare", të botuar nga gazeta "Zëri i Kosovës" e ribotuar nga UNIKOMB-i. “Dora që shkruan, ka thënë Da Vinçi, është vegla e trurit“. Dora e Ukshin Hotit, që shkroi librat e guximshëm e të mençur, është truri i tij i memorizuar në përjetësi. Ai qe paralajmërues dhe një argumentues vizionar. Prandaj, ai mbijeton përherë në këtë vizion ndërtues horizont-ndritës për të gjithë. Dje dhe sot!, tha në fjalën e tij Moikom Zeqo. (Lexo fjalën e plotë)
    Në këtë akademi politike, që u mbajt në Fakultetin Filologjik të UP-së, u shfaq i censuruar dokumentari “Ukshin Hoti -Vigani i Kosovës”.
    Andin Hoti, djali i profesor Ukshinit, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të punojnë seriozisht për zbardhjen e fatit të babit.
    Magjistër Ukshin Hoti, është “liruar” nga Burgu i Dubravës më 16 maj 1999, ku pas dyerve të burgut është rrëmbyer nga inspektorët serbë dhe nga ajo ditë nuk dihet më asgjë për fatin e tij.

     

    Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë Politike, për mr. Ukshin Hotin, që u organizua nën patronatin e Kryeministrisë

     

    Kryeministri Thaçi: Mendimi politik i Ukshin Hotit, konkurrent me politikologët botërorë

    Prishtinë, 16 maj 2008


    E nderuara familje Hoti,
    Zonja dhe zotërinj

    Fati i pazbardhur dhe ende enigmatik i profesorit Ukshin Hotit është një brengë që rëndon në shpirt dhe mendje jo vetëm familjarët e ngushtë, por edhe kolegët e tij, ish studentët, bashkëmendimtarët, veprimtarët, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët në Kosovë dhe jashtë saj.
    Është brengosës edhe për gjithë botën demokratike.
    Rruga jetësore e profesorit Ukshin Hoti është rruga e historisë së popullit të tij.
    Një luftë e përhershme kundër shtypjes dhe sundimit mbi Kosovën, pavarësisht formës së sistemeve politike.
    Një rrugë në kërkim të lirisë.
    Formimi i tij politik e kombëtar, në harmoni me përgatitjen shkencore, profesionale, bëri që profesori Ukshin Hoti të orientohet drejt politikisht dhe të marr qëndrime të drejta përballë situatave.
    Ngjarjet tashmë historike, Demonstratat e vitit 1981, ishin sprovë në të cilën Ukshin Hoti u pozicionua qartë në mbrojtje politike - të kërkesës së drejtë për Kosovën Republikë.
    Me të drejtë thuhet se proceset e reja shoqërore, zhvillimet politike në kthesa historike, kur përqafohen nga intelektualët, ato përfitojnë një përmasë të re në natyrën e tyre – idenë, mendimin, artikulimin teorik.
    E një natyre të tillë ishte fjala ekspoze e njohur e Profesorit në Fakultetin Filozofik në nëntor 1981, kur me elekuencë, dije shkencore dhe guxim qytetar, publikisht mbron karakterin emancipues të demonstratave dhe të kërkesës për Republikën e Kosovës.
    Këtë kërkesë - që ishte edhe shprehje e vullnetit të popullit, - ai do ta mbrojë si intelektual nga pozicioni i filozofit politik, duke u mbështetur në njërën nga kategoritë themelore të filozofisë, - zhvillimin dhe avancimin e proceseve.
    Në Kosovë, përkundër doktrinës zyrtare jugosllave, vetëdija kombëtare po rritej, faktori njerëzor i saj kërkonte hapësirë më të madhe të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor që më nuk mund të arrihej pa zhvillim politik.
    Statusi i shqiptarëve në Kosovë dhe ish jugosllavi në atë hapësirë kushtetuese ndjehej i ngushtuar, prandaj zhvillimi i brendshëm kërkonte zgjerim politik.
    Drejtësinë e kësaj teze politike, dhe të së drejtës së popullit të Kosovës, e vërtetuan të gjitha zhvillimet pas vitit 1981: rezistenca civile, lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, deri tek realiteti i sotëm, realiteti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga bota demokratike.
    Ky orientim dhe qëndrim i profesorit Ukshin Hoti bëri që ai të përjetojë vite të tëra burgu, por edhe izolimi e keqtrajtimi.
    Jo vetëm kërkesën për Republikën e Kosovës, por të gjitha pozicionet e çështjes së Kosovës, profesori Ukshin Hoti do t’i mbrojë nga thellësia e intelektualit të mirëfilltë kritik, në shtypin e kohës, në revista, e posaçërisht në librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare”.
    Kumtesat shkencore, shkrimet politike, analizat e fenomeneve politike me dioptri të sociologut politik, fjalimi i tij në gjyqin e fundit, janë kontribute dinjitoze dhe modele unikate në literaturën bashkëkohore rreth konceptit politik të çështjes së Kosovës.
    Mendoj se ajo që e shënon pikën kulmore të mendimit të tij politik është ndërlidhja e suksesshme e të gjykuarit nga pozicionet e intelektualit me horizont të gjerë dhe origjinaliteti në vrojtimin e proceseve historike dhe politike të çështjes shqiptare.
    Nganjëherë koha dinte që profesor Hotin edhe ta censuronte, por mendimi politik i tij ishte shpërthyes përballë censurës së politikës ditore.
    Thellësia e mendimit, dija e gjerë, njohja e realiteteve politike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, eksperienca e tij, bëjnë që Profesor Hoti t’i ndërlidh mirë relacionet e çështjes shqiptare në raport me botën, me qendrat vendosësh dhe politikën globale.
    Ngjarjet e 1968-ës, të 1981-ës, edhe ato të 1989-ës dhe viteve 1990 -ta, profesori Ukshin Hoti i analizon shumanshëm, duke shquar veçoritë, por edhe duke gjetur kontinuitetin e tyre historike.
    Tek profesori Ukshin Hoti më mirë se kudo tjetër shpjegohet ideja se shqiptarët në asnjë raport kulture dhe qytetërimi nuk duhet të ndjehen inferior përballë sunduesve të tyre.
    Ai me veprimin dhe mendimin e tij dëshmoi se i përket konceptit politik të lëvizjes autentike çlirimtare shqiptare.
    Mendimi politik i profesorit Ukshin Hoti i bën nderë shkencës dhe publicistikës sonë bashkëkohore dhe moderne me objektivitetin dhe drejtësinë e të gjykuarit, jo vetëm në mbrojtje të pozicionit politik të Kosovës në raport me Jugosllavinë dhe Serbinë, por edhe në aspektin e relacioneve Shqipëri – Kosovë, Kosovë-Maqedoni-Kosovë-Mali i Zi.

    Zonja dhe zotërinj,
    Me profesorin Ukshin Hoti më lidh një kujtim i mirë, në kohën kur isha prorektor student.
    Kur organet e dhunshme arsimin kosovar e dëbuan nga institucionet, profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës nuk u dorëzuan.
    Në atë kohë, në objekte alternative, mësimi vazhdoi.
    Në rrafshin politik, u arrit depolitizimi i universitetit dhe sërish u kthyen të gjithë profesorët e studentët e diferencuar politikisht.
    Kthimi i tyre i dha frymë të re shkencore universitetit dhe politikës kosovare.
    E kujtoj me respekt ligjëratën e parë të profesorit Ukshin Hoti, më rastin e rikthimit të tij në universitet, në objektin e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Kodër të Trimave, ku mbanim ligjëratat.
    Salla ishte mbushur plot me studentë dhe profesorë për t‘ia uruar rikthimin dhe njëkohësisht për ta dëgjuar ligjëratën e parë, që kishte të bënte me zhvillimet politike dhe fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe fillet e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.
    Profesor Hoti përfaqësonte mendimin politik për ndërtimin e shtetit të demokracisë qytetare.

    Zonja dhe zotërinj
    Sot, kur mbahet kjo Akademi, Universitetit të Prishtinës dhe studentëve të tij, u mungon mendimi shkencor, kritik dhe profesional i profesorit Ukshin Hoti.
    Profesor Ukshin Hotit me të drejtë i atribuohet mendimi më i avancuar për Pavarësinë e Kosovës.
    Politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës i mungon mendimi i tij i formësuar dhe konkurrent me mendimtarë dhe politikologë botërorë.
    Profesori Ukshin Hoti na mungon të gjithëve.

    Ju faleminderit!

     
     

    Fjala e Dr.Moikom Zeqos në Akademinë politike kushtuar Mr.Ukshin Hotit

     

    Emri i Ukshin Hotit është i njeriut të shndërruar në histori

     

    Emri i Ukshin Hotit është i njeriut të shndërruar në histori, ku e ardhmja do të kuptimësojë pafundësisht të tashmen, por edhe të kaluarën.. Dje dhe sot! „Dora që shkruan, ka thënë Da Vinçi, është vegla e trurit“. Dora e Ukshin Hotit, që shkroi librat e guximshëm e të mençur, është truri i tij i memorizuar në përjetësi. Ai qe paralajmërues dhe një argumentues vizionar. Prandaj, ai mbijeton përherë në këtë vizion ndërtues horizont-ndritës prë të gjithë. Dje dhe sot!

    Prishtinë, 16 maj 2008

    Me dorën që kam shkruar shkurt këto vjersha epigramatike për dhimbjen e madhe, por edhe për nderimin e madh, kam tokur dikur dorën e gjallë të Ukshin Hotit, që tani është përtej vdekjes, por asnjëherë në vdekje. Ajo qe dora e një mendimtari luftëtar, e një kalorësi të idesë. Në Ditën e të pagjeturve të Kosovës, emrat e tyre grishin tërë historinë, tërë kohërat, por jo nën siglën e disfatës, por të siglës së fitores. Dhe të mos harrojmë; Pavarësia e Kosovës është një ngjarje epokale, që ndodh një herë në dymijë vjet, një triumf i shqiptarëve dhe i komunitetit progresiv botëror, një plotfuqishmëri dhe sekret inkandeshent, novator, i habitshëm i integrimit demokratik .
    Emri i Ukshin Hotit është i njeriut të shndërruar në histori, ku e ardhmja do të kuptimësojë pafundësisht të tashmen, por edhe të kaluarën.. Dje dhe sot! „Dora që shkruan, ka thënë Da Vinçi, është vegla e trurit“. Dora e Ukshin Hotit, që shkroi librat e guximshëm e të mençur, është truri i tij i memorizuar në përjetësi. Ai qe paralajmërues dhe një argumentues vizionar. Prandaj, ai mbijeton përherë në këtë vizion ndërtues horizont-ndritës prë të gjithë. Dje dhe sot !
    Kriticizmi i tij qe human dhe modern.
    Substanca e librave dhe shkrimeve të tij, qe ajo e një intelektuali dhe politikologu të klasit të parë. Me një formim të shkëlqyer akademik. Ai nuk i dogmatizoi idetë dhe sulmoi tabutë e fosilizuara. Për Ukshin Hotin, politika si një teori e një pozitivizimi shkencor, si një art i mundësive ( edhe mbi pamundësitë) si funksionalitet , si një tërësi kategorishë institucionale, është një gjë jashtëzakonisht serioze dhe e një rëndësie ekzistenciale dhe jetike. Dje dhe sot !
    Politika si operacionalizim i teorisë, është e suksesshme në raport të drejtë me vërtetësinë racionale, burimore dhe vizionare të vetë teorisë. Nocionet politke burojnë, ftillësohen nga historia e vërtetë dhe jo nga historia e falsifikuar. Dje dhe sot! (…) Instrumentet politike janë dinamike, jo të ngurta, ato shërbejnë për të realizuar autenticitetin e individit dhe të shoqërisë, dhe jo për t’i deformuar. Kjo filozofi e politikës është shkenca e madhe e njeriut, por edhe e njerëzimit. Dje dhe sot!
    Mendimi politik i Ukshin Hotit, ngrihet mbi, gjoja, kompleksin e inferioriteti të shqiptarëve të mitizuar nga të tjerët, kapërcen funksionin e strukturave arkaike të strukturave të pa drejta dhe shpall se të drejtat etnike nuk mund të kuptohen pa të drejtat civile, se vetëdija e së vërtetës bën që politika teorike të bëhet politikë historike. Kjo vërteton se duart e heronjëve të armëve të UÇK-së dhe dora që shkruan librat, janë e njëjta gjë, të formësuara nga liria.
    Historia nuk pranon asnjë lloj alibie, qoftë edhe e formuluar mjeshtërisht si truket e perstixhiatorëve të famshëm. Luftëtari i mendimit, i epikës shqiptare dhe ndërkombëtare, Ukshin Hoti nuk u fsheh, nuk iu shmang martirizimit. Dje dhe sot !
    Kosova e martirizuar është një plebishit i çdoqastshëm i martirëve të saj. Kjo është tashmë një shembëlltyrë universale, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjithë të tjerët. Dhe mos të harrojmë se liria e Kosovës ështëe dhe një premisë e lirisë së vetë Serbisë. Aksioma madhështore historike; një popull që robëron një popull tjetër, nuk është vetë i lirë, është absolutisht një e vërtetë që çliron, krijon liri për të gjithë. Dje dhe sot!
    Qytetërimi juridikisht… i të drejtave të njeriut dhe kombeve, është mrekullia e integrimti demokratik. Në këtë rrafsh, Kosova dhe pavarësia e saj, janë në pararojë së bashku me komunitetin progresiv botëror dhe jo në një periferi të mjegulluar dhe të harruar të historisë moderne. Beteja e fituar e juridicitetit të pavarësisë së Kosovës, pasuroi shkencën politike të njerëzimit. Dje dhe sot! Por, edhe sot edhe nesër !
    Mendimtarët politik shqiptar si Ukshin Hoti, si Rexhep Qosja, në rrafshin e mendimit politik ndërkombëtar u arsyetuan drejt, nuk gabuan, qenë të fortë…
    Në arkivin tim ruaj dy fotografi; njëra tregon shtëpinë e djegur të Ukshin Hotit dhe tjetra nënën e tij të ndjerë. Do t’ja dhuroj Muzeut të Kosovës. Në fund shtëpia e UkshinHotit, nuk është varri i pagjetur, por tërë Kosova dhe njerëzimi. Nëna e tij janë tërë nënat shqiptare dhe të botës.