| |
KEK-u pasuri kombëtare - çka dhe sa fiton Kosova
me privatizim
Diskutimi i kryetarit të LPK-së Emrush Xhemajli, deputet në Kuvendin e
Kosovës lidhur me privatizimin e KEK-ut
I nderuari kryetar i Kuvendit, të nderuar kolegë deputetë,
Privatizimi i një pjese të KEK-ut mendoj se është në interes të
Kosovës dhe mendoj se duhet të jemi për këtë.
Por për të dhënë vizën për fillimin e procedurave të
privatizimit duhet rregullativ e qartë ligjore, pra ligji i
privatizimit, të cilin nuk e kemi. Ky ligj do të mundësonte një
privatizim transparent nga i cili do të dihet saktë se çka dhe
sa fiton Kosova.
Gjithashtu gjatë privatizimit duhet të jenë të qarta detajet që
kanë të bëjnë me fatin e atyre punonjësve që momentalisht
punojnë në KEK.
Shembujt e keq të privatizim të disa ndërmarrjeve që u përmendën
këtu në Kuvend duhet të jenë mësim.
Kur bëhet fjalë për pasuritë e KEK-ut duhet të dihet se po
flasim jo vetëm për pasuritë e kësaj gjenerate, por edhe të
gjeneratave të tjera pas nesh. Gjithashtu kjo çështje duhet të
merret me shumë seriozitet se sa që është marrë deri më tash. |
|
|
|
|
PSE TË PRIVATIZOHET MONOPOLI?
Deputetët
e Kuvendit të Kosovës, më 12 dhjetor, kanë shqyrtuar
rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri,
Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me
vendimin e Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave të
privatizimit të distribuimit dhe furnizimit të Korporatës
Energjetike të Kosovës (KEK). Mënyra e privatizimit të
njësive të KEK-ut është komentuar nga shumë deputetë nga të
gjitha grupet parlamentare.
DISKUTIMI I DEPUTETIT
TË PDK-SË
NAIM RRUSTEM
Të nderuar deputetë, para se të futemi qorras në procesin e
privatizimit do të duhej shikuar për mundësitë e
privatizimit si vetëm një prej mundësive në politikat
reformuese dhe si një gjë që ka çmim. Të nderuar deputetë,
ne sot po shqyrtojmë një rekomandim të qeverisë për një
privatizim, që sukseset e mundshme të këtij procesi nuk janë
të analizuara dhe argumentuara. Edhe pas privatizimit të
distribuimit dhe furnizimit qeveritë mbesin përgjegjëse për
ofrimin cilësor me energji elektrike, për çmim, dhe për
implikime sociale që realisht mund të ndodhin. Privatizimi
është portetizue si mjet që rritë efiçencën dhe sjell
investime, studimet e privatizimit nga vendet e ndryshme
tregojnë se duhet kalu kohë e gjatë që të ndodhë një gjë e
tille dhe implikimet afatgjata të këtij procesi nuk janë
shumë të qarta.
Të nderuar, para se të fillohet me procesin e privatizimit
të distribuimit dhe furnizimit duhet filluar me fazën e
para-privatizimit, e cila do të kish siguruar përgjigje në
pyetjet
PSE TË PRIVATIZOHET
ÇKA TE PRIVATIZOHET, dhe
SI TE PRIVATIZOHET
Edhe në strategjinë 2005 -2015 në procesin e ristrukturimit
të KEK-ut, më saktësisht në fazën e tretë, ka qenë e
paraparë që të ketë pilot projekte për procesin e
privatizimit. Ngritja e pilot projekteve ka pas të vetmin
objektiv që të arsyetojë fillimin e procesit të privatizimit
në tërësi? Një gjë e tillë nuk ka ndodhë. Pilotimi ka qenë i
paraparë të ndodhë në vitin 2006. Tash, unë po ju them se pa
u dhënë përgjigjet mirë të argumentuara në tre pyetjet e
mësipërme është qasje shume jo-profesionale. Nuk do të thotë
që privatizimi është gjithmonë zgjidhja e problemit.
Ju kujtohet mirë se çka ndodhi me rastin e Ferroniklit – me
rastin e privatizimit të Ferronikelit ne kemi ardhë në
situatë në të cilën Kosova nuk ka përfituar asnjë cent nga
gjoja shitja e pasurisë, të cilën ia ka dhuruar zoti, nuk e
ka ndërtuar dora e njeriut – dora e njeriut e ka falë. Pa
strategji të mirëfilltë: një herë e shet dhe më se shtien
kurrë në dorë. Nuk kthehet më. Ne, të gjithë qytetarët e
Kosovës, sot, paguajmë për diçka që mendojmë se e kemi
shitur. Ne sot paguajmë për një kontratë të lidhur e cila
për çdo ditë i dëmton qytetarët fukara të Kosovës duke blerë
rrymë dhe dhënë kompanisë prej së cilës është pritë të
fitohet e jo të dëmtohemi. Për dikënd kjo s’është gjë se
kanë mjaft pasuri. Nuk kanë nder dhe moral. Qeveria e
Kosovës i kritikon, por nuk merr asnjë veprim konkret. Ose
nuk donë ose… Nuk e di pse nuk inicon procedurën hetimore
lidhur me kontratën e dëmshme, që së paku ta shohim se
drejtësia i ka duart e gjata, se i prek të gjithë pa marrë
parasysh statusin social, partiak, e të pozitës. Pra, të
nderuar kërkoj nga ju të jemi të ndërgjegjshëm dhe të
vetëdijshëm për atë se çka po bëjmë?
Demokracia kërkon transparencë, kur kemi të bëjmë me sektor
të ndjeshëm dhe monopoliste duhet hapë debat. Së paku të
dëgjohet zëri i atyre që kanë përsipër privatizimin. A e
dinë se çka po bëjnë apo veç i kanë në përdorim nja dy tre
slogane monotone dhe bajate që kërkojnë ndryshim sa për
hatër të ndryshimit. Fjalori i përdorur nuk sjell asnjë
argument pos slogane si: KA KALUAR KOHA E EKONOMISË SË
PLANIFIKUAR, RRITET EFIKASITETI, etj gjoja për të treguar se
janë në përkrahje të demokracisë, se nuk i takojnë klasës
udhëheqëse komuniste. Ndryshimi është në mendje. Nuk
luftohet mentaliteti komunist me mjete komuniste. Është e
njëjta gjë. Vetëm në komunizëm merren vendimet pa ofruar
argument – dihet, ai që sjellë vendimin paraprakisht e ka
mirë.
Të nderuar deputetë, mësimet duhet marrë nga eksperiencat e
të tjerëve, nga vendet që ndajnë eksperienca të njëjta apo
të ngjashme me Kosovën. P.sh në shtetet si Maqedoni dhe
Gjeorgji privatizimi i distribucionit nuk ka treguar sukses
– dhe është shtrenjtuar energjia elektrike edhe kualiteti i
shërbimit me energji ka shënuar rënie. Apo, në Ukrainë,
Moldavi, dhe Armeni pas privatizimit dukshëm ka rënë
kualiteti i shërbimit. Janë vetëm disa raste suksesi:
Rumania dhe Bullgaria, raste në të cilët procesi i
privatizimit është udhëhequr prej njerëzve shumë
profesionist. Kurse Kroacia nuk do të fillojë me procesin e
privatizimit të Elektroekonomisë së Kroacisë para se të
pranohet në BE. Disa nga këto mësime fillestare janë; E para,
para privatizimit duhet krijuar kushtet për një treg
konkurrues – nuk privatizohet monopoli; nga monopoli
shtetëror mund të kalojmë në një monopol privat dhe me të
egër dhe me shumë implikime sociale, ku qytetarët e Kosovës
nuk kanë asnjë dobi të vetme. Mund të ketë fitime
individuale dhe mbushje xhepash të ndonjë biznesmeni
kazakistanes si me rastin e Ferronikelit. E dyta, Para se të
privatizohet duhet pas një treg që funksionon mirë, treg të
rregulluar me infrastrukturë ligjore adekuate. E treta, e
fundit dhe jo me pakë e rëndësishme, duhet ta dimë saktë se
çfarë vlere mund të sjellë një investitor. Me fjalë të tjera
çka fiton me privatizim të distribucionit dhe furnizimit
populli i varfër i Kosovës? Arsyeshmëria e lënë shumë pezull
se rritet efikasiteti pa ta dhënë asnjë analizë është hiq
gjë, kot fare. Kjo qasje, jo vetëm që drejtpërdrejt po
ndikon në zhvillim ekonomik por edhe prek në vlerat
themelore demokratike - p.sh siç është integriteti dhe e
vërteta. Ata që pranojnë pa pyetur kanë problem integritetin,
fjalën më të shpeshtë e kanë po, se vetëm kështu e mbulon
injorancën e vetë profesionale. Kjo po na prek edhe në
kulturë dhe kështu nuk mund të zhvillohet jeta demokratike.
Model suksesi po bëhen njerëzit që përulen, pa integritet.
Kjo po bëhet shumë keq, po bëhet pjesë integrale e kulturës
sonë.
Të nderuar deputetë, ne mund të bëhemi gjoja se këtë
propozim e kanë bërë ekspertë, por, që t’i tregojmë gjithë
botës se Kosova mund të bëhet funksionale duhet heq nga
fjalori fjalë dhe slogane që janë pezull, por të gjykojmë në
bazë të argumenteve të sjellura, që fatkeqësisht ky
rekomandim i ofruar është hiq gjë përpos një gjykim që u
ofrohet atyre që nuk i respekton dhe i trajton si të
painformuar. Vetëm sa për të plotësuar formën. Ligjshmëria e
këtij propozimi/rekomandimi nuk është e qartë, mund të
diskutohet si e tillë (Ligji për Ndërmarrje Publike, neni 9
- shitja e aksioneve). Kujt po i ngutet? Le të bëhet
shthurja ligjore, le të bëhet shoqëri aksionare me më shumë
aksione dhe pastaj mund të vendosim se a do të shesim
aksionet apo mos t’i shesim, dhe nëse vendosim t’i shesim sa
aksione t’i shesim? Shumë saktë nuk mund të bëhet fjalë për
privatizimin si koncept klasik i ofruar.
Dhe në fund, ju lutem që këto çështje të mos trajtohen nga
prizmi i marrëdhënieve pozitë-opozitë sepse nuk kanë të
bëjnë me te. Strategjia është shkruar në vitin 2005. Edhe në
këtë dokument ka qenë e paraparë të pilotohet, dhe të
pilotohet kur nuk je i sigurt për konsekuencat, një gjë e
tillë nuk ka arritë të bëhet. Pra kemi dy argumente shumë të
qëndrueshëm: e para, miratimi në parim i këtij dokumenti do
të ishte joligjor para se kryhet shthurja ligjore nga
shoqëria aksionare, dhe e dyta, procesi i shitjes së
pasurisë së Kosovës kërkon përgjigje në tri pyetje, PSE, ÇKA,
dhe SI të privatizohet. Privatizimi i distribucionit dhe
furnizimit ka të bëjë me zhvillimin strategjikë të Kosovës,
ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot, ne kemi
nevojë që të shohim/dëgjojmë alternativë dhe të zgjedhim më
të mirën nga ato, gjë e cila nuk është prezantuar. |