Komente
Intervista
Lajme
Kulturë
Botime
Arkivi

 


Kërko në
  
www.google.com
Kërko në
  
www.lpk-kosova.com


  • Vetëvendosje!
  • KP 'Afrim Zhitia'
  • Nënë Shqipëri
  • Shqipëria.com
  • Albanian.com
  • Kosovapress
  • Kosova e Lirë
  • KosovaLive
  • ATSH
  • Lajme.net
  • Dwelle
  • Europaelirë
  • VOA
  • BBC
  • RTV ZiK
  • Epoka e re
  • Koha Ditore
  • Koha Jonë
  • Shekulli
  • Korrieri
  • Gazeta Sot
  • Shkëmbi.com
  • Mekuli
  •    
     
    KEK-u pasuri kombëtare - çka dhe sa fiton Kosova me privatizim

    Diskutimi i kryetarit të LPK-së Emrush Xhemajli, deputet në Kuvendin e Kosovës lidhur me privatizimin e KEK-ut

    I nderuari kryetar i Kuvendit, të nderuar kolegë deputetë,
    Privatizimi i një pjese të KEK-ut mendoj se është në interes të Kosovës dhe mendoj se duhet të jemi për këtë.

    Por për të dhënë vizën për fillimin e procedurave të privatizimit duhet rregullativ e qartë ligjore, pra ligji i privatizimit, të cilin nuk e kemi. Ky ligj do të mundësonte një privatizim transparent nga i cili do të dihet saktë se çka dhe sa fiton Kosova.

    Gjithashtu gjatë privatizimit duhet të jenë të qarta detajet që kanë të bëjnë me fatin e atyre punonjësve që momentalisht punojnë në KEK.
    Shembujt e keq të privatizim të disa ndërmarrjeve që u përmendën këtu në Kuvend duhet të jenë mësim.

    Kur bëhet fjalë për pasuritë e KEK-ut duhet të dihet se po flasim jo vetëm për pasuritë e kësaj gjenerate, por edhe të gjeneratave të tjera pas nesh. Gjithashtu kjo çështje duhet të merret me shumë seriozitet se sa që është marrë deri më tash.
     
     
     

    PSE TË PRIVATIZOHET MONOPOLI?

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 12 dhjetor, kanë shqyrtuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave të privatizimit të distribuimit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Mënyra e privatizimit të njësive të KEK-ut është komentuar nga shumë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare.

     
    DISKUTIMI I DEPUTETIT TË PDK-SË

    NAIM RRUSTEMI

    Të nderuar deputetë,
    para se të futemi qorras në procesin e privatizimit do të duhej shikuar për mundësitë e privatizimit si vetëm një prej mundësive në politikat reformuese dhe si një gjë që ka çmim.
    Të nderuar deputetë, ne sot po shqyrtojmë një rekomandim të qeverisë për një privatizim, që sukseset e mundshme të këtij procesi nuk janë të analizuara dhe argumentuara. Edhe pas privatizimit të distribuimit dhe furnizimit qeveritë mbesin përgjegjëse për ofrimin cilësor me energji elektrike, për çmim, dhe për implikime sociale që realisht mund të ndodhin. Privatizimi është portetizue si mjet që rritë efiçencën dhe sjell investime, studimet e privatizimit nga vendet e ndryshme tregojnë se duhet kalu kohë e gjatë që të ndodhë një gjë e tille dhe implikimet afatgjata të këtij procesi nuk janë shumë të qarta.

    Të nderuar,
    para se të fillohet me procesin e privatizimit të distribuimit dhe furnizimit duhet filluar me fazën e para-privatizimit, e cila do të kish siguruar përgjigje në pyetjet

    PSE TË PRIVATIZOHET
    ÇKA TE PRIVATIZOHET, dhe
    SI TE PRIVATIZOHET


    Edhe në strategjinë 2005 -2015 në procesin e ristrukturimit të KEK-ut, më saktësisht në fazën e tretë, ka qenë e paraparë që të ketë pilot projekte për procesin e privatizimit. Ngritja e pilot projekteve ka pas të vetmin objektiv që të arsyetojë fillimin e procesit të privatizimit në tërësi? Një gjë e tillë nuk ka ndodhë. Pilotimi ka qenë i paraparë të ndodhë në vitin 2006. Tash, unë po ju them se pa u dhënë përgjigjet mirë të argumentuara në tre pyetjet e mësipërme është qasje shume jo-profesionale. Nuk do të thotë që privatizimi është gjithmonë zgjidhja e problemit.

    Ju kujtohet mirë se çka ndodhi me rastin e Ferroniklit – me rastin e privatizimit të Ferronikelit ne kemi ardhë në situatë në të cilën Kosova nuk ka përfituar asnjë cent nga gjoja shitja e pasurisë, të cilën ia ka dhuruar zoti, nuk e ka ndërtuar dora e njeriut – dora e njeriut e ka falë. Pa strategji të mirëfilltë: një herë e shet dhe më se shtien kurrë në dorë. Nuk kthehet më. Ne, të gjithë qytetarët e Kosovës, sot, paguajmë për diçka që mendojmë se e kemi shitur. Ne sot paguajmë për një kontratë të lidhur e cila për çdo ditë i dëmton qytetarët fukara të Kosovës duke blerë rrymë dhe dhënë kompanisë prej së cilës është pritë të fitohet e jo të dëmtohemi. Për dikënd kjo s’është gjë se kanë mjaft pasuri. Nuk kanë nder dhe moral. Qeveria e Kosovës i kritikon, por nuk merr asnjë veprim konkret. Ose nuk donë ose… Nuk e di pse nuk inicon procedurën hetimore lidhur me kontratën e dëmshme, që së paku ta shohim se drejtësia i ka duart e gjata, se i prek të gjithë pa marrë parasysh statusin social, partiak, e të pozitës. Pra, të nderuar kërkoj nga ju të jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për atë se çka po bëjmë?

    Demokracia kërkon transparencë, kur kemi të bëjmë me sektor të ndjeshëm dhe monopoliste duhet hapë debat. Së paku të dëgjohet zëri i atyre që kanë përsipër privatizimin. A e dinë se çka po bëjnë apo veç i kanë në përdorim nja dy tre slogane monotone dhe bajate që kërkojnë ndryshim sa për hatër të ndryshimit. Fjalori i përdorur nuk sjell asnjë argument pos slogane si: KA KALUAR KOHA E EKONOMISË SË PLANIFIKUAR, RRITET EFIKASITETI, etj gjoja për të treguar se janë në përkrahje të demokracisë, se nuk i takojnë klasës udhëheqëse komuniste. Ndryshimi është në mendje. Nuk luftohet mentaliteti komunist me mjete komuniste. Është e njëjta gjë. Vetëm në komunizëm merren vendimet pa ofruar argument – dihet, ai që sjellë vendimin paraprakisht e ka mirë.

    Të nderuar deputetë,
    mësimet duhet marrë nga eksperiencat e të tjerëve, nga vendet që ndajnë eksperienca të njëjta apo të ngjashme me Kosovën. P.sh në shtetet si Maqedoni dhe Gjeorgji privatizimi i distribucionit nuk ka treguar sukses – dhe është shtrenjtuar energjia elektrike edhe kualiteti i shërbimit me energji ka shënuar rënie. Apo, në Ukrainë, Moldavi, dhe Armeni pas privatizimit dukshëm ka rënë kualiteti i shërbimit. Janë vetëm disa raste suksesi: Rumania dhe Bullgaria, raste në të cilët procesi i privatizimit është udhëhequr prej njerëzve shumë profesionist. Kurse Kroacia nuk do të fillojë me procesin e privatizimit të Elektroekonomisë së Kroacisë para se të pranohet në BE. Disa nga këto mësime fillestare janë; E para, para privatizimit duhet krijuar kushtet për një treg konkurrues – nuk privatizohet monopoli; nga monopoli shtetëror mund të kalojmë në një monopol privat dhe me të egër dhe me shumë implikime sociale, ku qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dobi të vetme. Mund të ketë fitime individuale dhe mbushje xhepash të ndonjë biznesmeni kazakistanes si me rastin e Ferronikelit. E dyta, Para se të privatizohet duhet pas një treg që funksionon mirë, treg të rregulluar me infrastrukturë ligjore adekuate. E treta, e fundit dhe jo me pakë e rëndësishme, duhet ta dimë saktë se çfarë vlere mund të sjellë një investitor. Me fjalë të tjera çka fiton me privatizim të distribucionit dhe furnizimit populli i varfër i Kosovës? Arsyeshmëria e lënë shumë pezull se rritet efikasiteti pa ta dhënë asnjë analizë është hiq gjë, kot fare. Kjo qasje, jo vetëm që drejtpërdrejt po ndikon në zhvillim ekonomik por edhe prek në vlerat themelore demokratike - p.sh siç është integriteti dhe e vërteta. Ata që pranojnë pa pyetur kanë problem integritetin, fjalën më të shpeshtë e kanë po, se vetëm kështu e mbulon injorancën e vetë profesionale. Kjo po na prek edhe në kulturë dhe kështu nuk mund të zhvillohet jeta demokratike. Model suksesi po bëhen njerëzit që përulen, pa integritet. Kjo po bëhet shumë keq, po bëhet pjesë integrale e kulturës sonë.

    Të nderuar deputetë,
    ne mund të bëhemi gjoja se këtë propozim e kanë bërë ekspertë, por, që t’i tregojmë gjithë botës se Kosova mund të bëhet funksionale duhet heq nga fjalori fjalë dhe slogane që janë pezull, por të gjykojmë në bazë të argumenteve të sjellura, që fatkeqësisht ky rekomandim i ofruar është hiq gjë përpos një gjykim që u ofrohet atyre që nuk i respekton dhe i trajton si të painformuar. Vetëm sa për të plotësuar formën. Ligjshmëria e këtij propozimi/rekomandimi nuk është e qartë, mund të diskutohet si e tillë (Ligji për Ndërmarrje Publike, neni 9 - shitja e aksioneve). Kujt po i ngutet? Le të bëhet shthurja ligjore, le të bëhet shoqëri aksionare me më shumë aksione dhe pastaj mund të vendosim se a do të shesim aksionet apo mos t’i shesim, dhe nëse vendosim t’i shesim sa aksione t’i shesim? Shumë saktë nuk mund të bëhet fjalë për privatizimin si koncept klasik i ofruar.

    Dhe në fund, ju lutem që këto çështje të mos trajtohen nga prizmi i marrëdhënieve pozitë-opozitë sepse nuk kanë të bëjnë me te. Strategjia është shkruar në vitin 2005. Edhe në këtë dokument ka qenë e paraparë të pilotohet, dhe të pilotohet kur nuk je i sigurt për konsekuencat, një gjë e tillë nuk ka arritë të bëhet. Pra kemi dy argumente shumë të qëndrueshëm: e para, miratimi në parim i këtij dokumenti do të ishte joligjor para se kryhet shthurja ligjore nga shoqëria aksionare, dhe e dyta, procesi i shitjes së pasurisë së Kosovës kërkon përgjigje në tri pyetje, PSE, ÇKA, dhe SI të privatizohet. Privatizimi i distribucionit dhe furnizimit ka të bëjë me zhvillimin strategjikë të Kosovës, ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot, ne kemi nevojë që të shohim/dëgjojmë alternativë dhe të zgjedhim më të mirën nga ato, gjë e cila nuk është prezantuar.