| |
|
Pavarësinë e Kosovës deri më tani e kanë njohur 52 shtete |
| |
|
Prishtina paraqet propozimin katërpikësh lidhur me vendosjen e EULEX-it
E martë, 18 nëntor 2008
Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje
politike, Daniel Frid, ka zhvilluar edhe sot një takim të gjatë
me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe
përfaqësuesin special të BE-së, Piter Fejt, në përpjekje për të
gjetur zgjidhje për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e
Kosovës.
Pas këtij takimi presideni Sejdiu tha se Prishtina zyrtare ka ofruar
një plan 4 pikësh për vendosjen e EULEX-it.
1. Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovës
sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë,
dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së
Kosovës , ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të katër
shkurtit 2008 dhe ftesën e bërë EULEX-it nga institucionet e
Kosovës.
2. Institucionet e Kosovës e refuzojnë në tërësi dokumentin
gjashtë pikësh.
3. Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in
në tërë territorin e Kosovës në bazë të mandatit sipas
dokumentet të lartpërmendura, duke respektuar sovranitetin dhe
integritetin e Kosovës.
4. Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë si gjithmonë me
SHBA-të, BE-në dhe NATO-në.
Çarjet midis politikanëve dobësojnë
pozicionin ndërkombëtar të
Prishtinës
E martë, 18 nëntor 2008
Prishtinë, 18 nëntor - Një diplomat
perëndimor, njohës i mirë i
rrethanave politike në Kosovë dhe
BE, ka thënë se pala kosovare duhet
ta ruajë shkallën e lartë të
unitetit të faktorit vendor, që
është krijuar ditëve të fundit.
Çarjet eventuale midis politikanëve
kryesorë të vendit do të kishin
pasoja për dobësimin e pozicionit
ndërkombëtar të Prishtinës, i cili
ka pësuar rënie muajve të kaluar, ka
thënë ky diplomat perëndimor me
kusht anonimiteti për gazetën "Zëri".
Sipas tij, acarimi i tashëm i
raporteve midis Prishtinës dhe
Perëndimit është rezultat i
keqmenaxhimit të tërë procesit nga
ana e kreut të OKB-së, e mbi të
gjitha të Departamentit të
Operacioneve Paqeruajtëse të KB-së.
Prishtina duhet të tregojë se më nuk
do të tolerojë sjelljet e krijimit
të problemeve nga ana e OKB-së,
është shprehur ky diplomat
perëndimor.
|
| |
|
|
|
Demonstratë kundër ndarjes së Kosovës - në mbrojtje të sovranitetit
Prishtinë, 19 nëntor 2008
Dhjetëra mijëra qytetarë kanë demonstruar sot në Prishtinë,
kundër planit gjashtëpikësh të Ban Mi Munit dhe kanë bërë
thirrje për mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.
Demonstruesit thanë se plani i kreut të OKB-së është i
papranueshëm për Kosovën, ngase zbatimi i tij do të thotë
ndarje për Kosovën, e ndarja do të thotë luftë.
Demonstrata është organizuar nga rrjeti i organizatave
joqeveritare dhe Lëvizja VETËVENDOSJE, e në të cilën kanë
marrë pjesë edhe shumë figura politike..
Demonstruesit mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar,
pankarte në të cilat shkruante “Jo ndarjes së Kosovës”,
“S’ban, S’ki, S’mun”, (Ban Ki Mun), “Ta mbrojmë sovranitetin”,
ndërsa brohoritjet më të shpeshta kanë qenë “Jo ndarjes së
Kosovës”, "Ta mbrojmë sovranitetin”, “Jemi shtet, s’duam
eksperiment”, “UÇK”, “Poshtë UNMIK-u”...
Demonstruesit janë grumbulluar para Bibliotekës Kombëtare,
për të vazhduar marshutën përpara Kuvendit dhe Qeverisë së
Kosovës dhe në fund përpara ish-selisë së UNMIK-ut, tani
EULEX-it, duke përshkuar kështu trajektoren në formë të
shkronjës S, që simbolizonte sovranitetin.
Lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti u tha
demonstruesve se edhe nëse liderët kosovarë e pranojnë në
çfarëdo mënyre gjashtëpikëshin, populli nuk do ta pranojë
atë. Kurti kundërshtoi neutralitetin e EULEX-it, duke e parë
atë si një definicion që i mundëson Serbisë të ndërhyjë në
çështjet e brendshme të Kosovës.
“Po thonë që ky farë EULEX-i është neutral. Ky neutralitet i
bie njëfarë paanshmërie ndaj dy palëve. Pra, kur po thonë
është neutral, po duan të thonë se për çështjen e Kosovës
janë dy palë, është Kosova, por është edhe Serbia”, tha
Kurti.
Në vazhdim, Albin Kurti kritikoi qëndrimin e krerëve të
Kosovës përballë zhvillimeve të fundit politike, ndërsa
planin katërpikësh të paraqitur dje nga presidenti Sejdiu,
tha se e sheh si një mundësi që Kosova e Serbia sërish të
hyjnë në negociata.
“E keni parë që dje ia kanë ofruar Daniel Friedit një plan
katërpikësh. Mirëpo, ky plan katërpikësh do të përfundojë si
qëndrim i palës kosovare në negociatat e ardhshme. Thonë,
Serbia po i lyp gjashtë pika, ju po i lypni katër pika,
hajde e zatetnu diku në mes. Prandaj, nuk mjafton më t’u
thuhet ‘jo’ pikave të Ban Ki Munit, por duhet thënë ‘jo’
edhe çfarëdo negociate ose pazari me vendin tonë”, tha Kurti.
Xhavit Jashari, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta
çlirimtare dhe veteranëve të UÇK-së, tha se çdo tentim për
ta ndarë Kosovën do të ketë efekte edhe për vendet tjera të
rajonit.
“Edhe nëse këto institucione, pa marrë parasysh arsyet, këtë
‘jo’ të sotme e bëjnë ‘po’ të nesërme, atëherë do të hapen
probleme me të cilat do të përballen jo vetëm Kosova e
Serbia, por do të përballen edhe Maqedonia, Mali i Zi,
Shqipëria, do të përballen edhe Shqipëria e Greqia...".
"Pra, do të ketë ribërje të kufijve, sot ose nesër, jo vetëm
në këtë pjesë të tokave shqiptare, por edhe më gjerë”, tha
Jashari.
Alban Bokshi, nga OJQ “Çohu” tha se sovraniteti dhe
integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. "Për
secilën çështje kapitale për Kosovën duhet të vendosë
populli i Kosovës, ndërsa referendumi është mekanizmi më i
drejtë", tha ai.
Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Instituti për studime të
avancuara, kërkoi që zëri i qytetarëve të mos ndihet vetëm
një herë në katër vite, vetëm atëherë kur mbahen zgjedhjet,
por edhe kur ata janë të pakënaqur me gjendjen aktuale
politike në vend.
Demonstruesve u është drejtuar edhe udhëheqësja e Rrjetit të
grave të Kosovës, Igballe Rugova. Ajo ka kërkuar nga
institucionet e Kosovës që ta respektojnë në përpikëri nenin
1.1. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërkaq nga
Bashkimi Evropian kërkoi që të mos i përsërisë gabimet që i
ka bërë UNMIK-u, gjatë këtyre viteve në Kosovë.
Demonstrata e sotme ishte ndër më masoviket që është
organizuar pas përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë.
Organizatorët e saj janë shprehur të vendosur për të
vazhduar demonstratat nëse plani gjashtëpikësh i Ban Ki
Munit pranohet dhe tentohet të implementohet në Kosovë.
Frid: Oferta e Prishtinës platformë e mirë
për të ecur përpara
Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje
politike, Daniel Frid, pas takimit me presidentin Sejdiu,
kryeministrin Thaçi dhe shefin e ICO-së, Fejf tha se pikat e
paraqitura nga presidenti Sjeidu, përbejnë një platformë të mirë
për të ecur përpara.
“Unë do të shkoj sot në Gjeneve për t’u takuar me Allen Le Roa
nga Kombet e Bashkuara për të diskutuar hapat e ardhshëm. Por
dua të them se kemi bazë të mirë për të lëvizur në mënyrë
produktive“.
Fejt: Jemi të kënaqur me përkushtimin e
Qeverisë për të bashkëpunuar me ne
Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Piter
Fejt, u shpreh i bindur sot se gjërat do të lëvizin përpara dhe
misioni i EULEX-it do të shtrihet së shpejti në tërë territorin
e Kosovës.
Pas takimit me diplomatin amerikan dhe krerët e Kosovës Fejt tha
se “si Union Evropian, mezi po presim shtrirjen e EULEX-it në
tërë territorin e Kosovës. Jemi të kënaqur kur dëgjojmë
përkushtimin e Qeverisë për të bashkëpunuar me ne, por edhe me
Kombet e Bashkuara, për ta bërë të mundur këtë shtrirje. Kemi
marrë qëndrimin e qeverisë për këto çështje dhe tani presim t’i
implementojmë këto aranzhime“.
Thaçi: Do ta implementojmë planin e
Ahtisarit
Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se
bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe ata evropian nuk do të
mungojë as në procesin e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë.
“Do të punojmë maksimalisht që gjithë këtë proces ta kalojmë
bashkë, duke implementuar me përpikmëri planin e Ahtisarit. E
kemi ftuar, i kemi dhënë përkrahje dhe do të bashkëpunojmë
ngushtë me EULEX-in për shtrirjen e tij në tërë territorin e
Republikës”, tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se i tërë ky bashkëpunim bëhet me qëllim
që rendi dhe ligji të funksionojnë në tërë territorin e vendit
dhe në këtë mënyrë të mos ketë funksionim të strukturave
paralele në asnjë pjesë të Kosovës. |