1982-2012 | 30-vjetori i LPK-së  
 

LPK-ja shënoi 30-vjetorin e themelimit


Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), u bë një organizatë që sublimon frymëzimin, aspiratën, angazhimin dhe luftën e shenjë për liri, bashkim e demokraci. Kjo lëvizje me aktivitetet e saj është bërë një monument gjithëkombëtar i përpjekjeve dhe angazhimit dhe luftës së pa epur, ngritur mbi themelet e gjakut dhe sakrificës së dëshmorëve.

Kështu është vlerësuar të martën, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të LPK-së, ku morën pjesë themelues të kësaj lëvizje, veprimtarë të çështjes kombëtare, si dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe personalitete tjera.

Në emër të Këshillit Organizativ, një fjalë rasti ka mbajtur veprimtari Emrush Xhemajli. Ai tha se LPK-ja do të mbetet përjetë në kujtesën dhe historinë e popullit, sepse shumë aktivistë të saj kanë rënë heroikisht për çlirimin e vendi.

“Pas kryengritjes së popullit të Kosovës, në pranverë të vitit 1981, ideali dhe aspirata liridashëse përpjekja e pareshtur dhe lufta e pa epur për çlirim e pavarësi, liri, demokraci, domosdoshmërish para alternativës më të mirë të mundshme të unifikimit dhe organizimit nacional çlirimtar. Në procesin e formimit të LPK-së, pikërisht sot para 30 viteve ranë në altarin e lirisë heronjtë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla”, ka thënë Xhemajli.

Duke folur për veprimtarinë e LPK-së, Xhemajli vlerësoi se kjo lëvizje gjatë këtyre 30 viteve të funksionimit të saj, gjatë gjithë kohës ka kontribuar për lirinë dhe çlirimin e vendit.

“LPK-ja u bë një organizatë që sublimon, frymëzimin, aspiratën, angazhimin dhe luftën e shenjë për liri, bashkim e demokraci. Një monument gjithëkombëtar i përpjekjeve dhe angazhimit dhe luftës së pa epur, ngritur mbi themelet e gjakut dhe sakrificës”, është shprehur ai.

Në mesin e mysafirëve për shënimin e 30 vjetorit të LPK-së, ishte edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti. Ai ka thënë Kosovapress, se çdo fjalë e thënë për LPK-në është e pakët, sepse të gjithë e dinë se kjo lëvizje ka dhënë shumë për çlirimin e vendit.

“Lëvizja Popullore e Kosovës ka qenë, do ta quaja një lëvizje gjithëpopullore, e cila ka bashkuar njerëzit pa dallim feje, pa dallim krahine, të gjithë njerëzit të cilët kanë qenë të angazhuar të luftojnë në drejtim të lirimit të Kosovës. Ky 30 vjetor i themelimit të LPK-së e ka gjetur Kosovës të lirë dhe është shumë mirë që gjithë këta njerëz në këtë sallë janë sot së bashku për të festuar atë që e kanë bërë së bashku për aq kohë, për aq mundim dhe me shumë sakrificë. Nga kjo organizatë kanë rënë shumë dëshmorë, të cilët kanë qenë drejtues të UÇK-së dhe nga kjo organizatë tani janë edhe disa nga udhëheqësit e Kosovës dhe drejtuesit e partive të Kosovës”, ka thënë Haliti.

Ndryshe, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) është themeluar në vitin 1982. Në gjirin e saj ka pasur emra me rëndësi të historisë kombëtare. Kjo lëvizje ka pasur rolin kryesorë edhe në organizimin e luftës çlirimtare dhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Kosovapress/

 
   
   
   
 

Kliko këtu për të shikuar fotot nga shënimi i 30-vjetorit të LPK-së

 
 
Kërko