|
LPK-ja shënoi 30-vjetorin e themelimit
Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), u bë një organizatë që sublimon frymëzimin,
aspiratën, angazhimin dhe luftën e shenjë për liri, bashkim e demokraci. Kjo
lëvizje me aktivitetet e saj është bërë një monument gjithëkombëtar i
përpjekjeve dhe angazhimit dhe luftës së pa epur, ngritur mbi themelet e gjakut
dhe sakrificës së dëshmorëve.
Kështu është vlerësuar të martën, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të
themelimit të LPK-së, ku morën pjesë themelues të kësaj lëvizje, veprimtarë të
çështjes kombëtare, si dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi,
kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe personalitete tjera.
Në emër të Këshillit Organizativ, një fjalë rasti ka mbajtur veprimtari Emrush
Xhemajli. Ai tha se LPK-ja do të mbetet përjetë në kujtesën dhe historinë e
popullit, sepse shumë aktivistë të saj kanë rënë heroikisht për çlirimin e vendi.
“Pas kryengritjes së popullit të Kosovës, në pranverë të vitit 1981, ideali dhe
aspirata liridashëse përpjekja e pareshtur dhe lufta e pa epur për çlirim e
pavarësi, liri, demokraci, domosdoshmërish para alternativës më të mirë të
mundshme të unifikimit dhe organizimit nacional çlirimtar. Në procesin e
formimit të LPK-së, pikërisht sot para 30 viteve ranë në altarin e lirisë
heronjtë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla”, ka thënë Xhemajli.
Duke folur për veprimtarinë e LPK-së, Xhemajli vlerësoi se kjo lëvizje gjatë
këtyre 30 viteve të funksionimit të saj, gjatë gjithë kohës ka kontribuar për
lirinë dhe çlirimin e vendit.
“LPK-ja u bë një organizatë që sublimon, frymëzimin, aspiratën, angazhimin dhe
luftën e shenjë për liri, bashkim e demokraci. Një monument gjithëkombëtar i
përpjekjeve dhe angazhimit dhe luftës së pa epur, ngritur mbi themelet e gjakut
dhe sakrificës”, është shprehur ai.
Në mesin e mysafirëve për shënimin e 30 vjetorit të LPK-së, ishte edhe anëtari i
Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti. Ai ka thënë
Kosovapress, se çdo fjalë e thënë për LPK-në është e pakët, sepse të gjithë e
dinë se kjo lëvizje ka dhënë shumë për çlirimin e vendit.
“Lëvizja Popullore e Kosovës ka qenë, do ta quaja një lëvizje gjithëpopullore, e
cila ka bashkuar njerëzit pa dallim feje, pa dallim krahine, të gjithë njerëzit
të cilët kanë qenë të angazhuar të luftojnë në drejtim të lirimit të Kosovës. Ky
30 vjetor i themelimit të LPK-së e ka gjetur Kosovës të lirë dhe është shumë
mirë që gjithë këta njerëz në këtë sallë janë sot së bashku për të festuar atë
që e kanë bërë së bashku për aq kohë, për aq mundim dhe me shumë sakrificë. Nga
kjo organizatë kanë rënë shumë dëshmorë, të cilët kanë qenë drejtues të UÇK-së
dhe nga kjo organizatë tani janë edhe disa nga udhëheqësit e Kosovës dhe
drejtuesit e partive të Kosovës”, ka thënë Haliti.
Ndryshe, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) është themeluar në vitin 1982. Në
gjirin e saj ka pasur emra me rëndësi të historisë kombëtare. Kjo lëvizje ka
pasur rolin kryesorë edhe në organizimin e luftës çlirimtare dhe krijimin e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Kosovapress/ |